Ilir Meta mbyll sot detyrën e tij në krye të shtetit për t’ia dorëzuar stafetën presidentit të zgjedhur, ish-ushtarakut Bajram Begaj,

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” këtë të diel në mëngjes, Meta shpreh mirënjohjen e tij dhe i uron shqiptarëve më të mirën.

“Ishte një nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm të shërbeja këto pesë vite si President i Republikës të Shqipërisë. Uroj për atdheun dhe kombin tonë më të mirën! Paqe dhe mbarësi për çdo familje shqiptare!

Zoti e bekoftë Shqipërinë”, ka thënë ai në një postim në “Facebook”.

Parlamenti do të mblidhet sot në orën 18.00 për ceremoninë e betimit të Begajt. Pas betimit dhe fjalës para deputetëve, ceremonia pritet te zhvendoset në një tjetër godinë, atë të Presidencës.

Në orën 19.30 Ilir Meta do presë pasardhësin e tij për ti dorëzuar simbolikisht  çelësat e institucionit që ai do drejtojë për 5 vite. Kryetari i ri i shtetit pritet të mbajë fjalën e rastit, duke shënuar zyrtarisht largimin nga detyra të Ilir Metës.

Top Channel