Ballkani përballet me një të nxehtë përvëlues që ka detyruar institutet hidrometeorologjike në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kroaci të lëshojnë një alarm të kuq nga moti për shkak të temperaturave të larta.

Alarmi po shoqërohet edhe më këshilla ndaj popullatës për masa paraprake, dhe për ndërprerje të aktiviteteve në natyrë.  Temperaturat ditore, sipas meteorologëve, do të jetë mbi 34 gradë e në rritje.

“Mot me diell në Bosnje dhe Hercegovinë. Pasdite rritje graduale e vranësisë. Temperatura më e lartë ditore nga 35 deri në 41 gradë, në jug deri në 42 gradë”, thuhet në parashikimin e Institutit Federal Hidrometeorologjik.

Nga kjo valë e nxehtë përvëluese është prekur edhe Shqipëria, ku termometri ka arritur deri në 41 gradë Celsius.

Kjo gjë ka bërë që qytetarët të reduktojnë daljet në diell dhe janë munduar të mbrohen në mënyra të ndryshme, me kapele, syze ose çadra.

Edhe Instituti Republikan Hidrometeorologjik i Serbisë shpalli sot alarmin e kuq në të gjithë vendin për shkak të temperaturave të larta.

Në Serbi temperaturat sot do të jenë nga 37 deri në 41 gradë. E diela atje ndërkohë pritet të sjellë një ulje të zhivës së termometrit me gati pesë gradë dhe në zona të caktuara, mund të ketë edhe reshje të dobëta shiu.

Ndryshe paraqitet situata në Maqedoni, ku e diela do të sjellë temperature edhe më të larta, deri në 42 gradë, ndërsa deri në 27 korrik, vendi do të mbetet në fashën portokalli të rrezikut nga i nxehti.

Temperatura jashtëzakonisht të larta priten në gjithë Kroacinë këtë fundjavës, për këtë arsye është shpallur alarmi i kuq i motit pothuajse në të gjitha rajonet.

“Priten temperatura jashtëzakonisht të larta. Mbroni veten, fëmijët dhe të moshuarit. Veproni sipas këshillave të dhëna nga autoritetet kompetente”, paralajmëroi Instituti Hidrometeorologjik Shtetëror i Kroacisë.

Një paralajmërim i kuq është në fuqi këto ditë për rajonet e Kninit, Rijekës, Splitit dhe Dubrovnikut.

Top Channel