Barazimi i Laçit mbrëmjen e së enjtes 0-0 në Moldavi ku zhvilloi një ndeshje për më tepër se 60 minuta me 10 lojtarë përballë Petrokub Hinceshtit.

Transferta për kurbinasit ka qenë e vështirë ku një pjesë e lojtarëve dhe stafit kanë udhëtuar për gati 26 orë apo disa lojtarë kishin probleme me pajisjen me viza dhe duke patur parasysh të tilla peripeci, rezultati bëhet edhe më me vlerë.

“E kam quajtur një barazim heroik pasi kemi patur probleme edhe me akomodimin apo transfertën, gjithashtu dalja me karton të kuq e Spahiut vështirësoi edhe më tepër takimin, gjithsesi skuadra reagoi mjaft mirë në fushë”, tha Shpëtim Duro/ trajner i Laçit .

Ndërkohë të enjten e ardhshme Laçi do të luaj në Elbasan Arena takimin e kthimit nga ku pretendojnë të marrin diçka më tepër se në trasnfertë, për të siguruar kualifikimin.

“Për të thënë të vërtetën kemi disa probleme me mesfushën pasi edhe dalja me karton të kuq e Spahiut na detyron të modifikojmë sërish, por ne duhet thënë që jemi pretendent, kjo nuk duhet të na bëjë euofrik pasi na duhet që të zhvillojmë një ndeshje të mirë sepse dhe kundërshtari ka një lojë specifike, pra na duhet kemi respekt për ta”, tha Shpëtim Duro / trajner i Laçit.

Ndërkohë që Shpëtim Duro edhe një vit më parë pati një histori të ngjashme tek Laçi ku pavarësisht se arriti të kalojë dy raunde të Ligës së Konferencave nuk vazhdoi me krubinasit në kampionat. Si është situata e tij aktualisht?

“Do të na duhet të kalojë kjo ndeshje që të ulem të flasë me presidentin se çfarë do të bëjmë por dëshira ime është që të vazhdoj të jem trajneri i Laçit edhe për sezonin që do të fillojë”, tha Duro.

Nga dita e martë Laçi do të fillojë grumbullimin në Elbasan, për t’u stërvitur atje deri ditën e enjte kur do të luhet ndeshja e kthimit ndaj moldavëve të Petrokub Hinceshtit, e vlefshme për raundin e dytë dytë eliminator të Ligës së Konferencave.

Top Channel