Bllokohet nga policia peshkarexha me 80.000 litra naftë, shpallen në kërkim administratori, kapiteni dhe mekaniku

23/07/2022 13:48

Një peshkarexhë me 80.000 litra naftë kontrabandë është bllokuar nga policia në Durrës, ndërsa janë shpallur në kërkim administratori, kapiteni dhe mekaniku

Policia ka shpallur në kërkim ekuipazhin e peshkarexhës, përkatësisht  administratorin, kapitenin dhe mekanikun e anijes.

Peshkarexha kishte dalë në det pa njoftuar autoritetet dhe kishte fikur pajisjen e sistemit të monitorimit.  Policia e Durrësit, pas informacionit të marrë në rrugë operative ka organizuar operacionin ”Diesel” dhe nga veprimet e para hetimore rezulton se anija e peshkimit doli në det, pa njoftuar kapitenerinë dhe Policinë Kufitare, si dhe fikën GSP, me qëllim marrjen e një sasie të madhe nafte dhe futjen e saj kontrabandë.

Tre personat e shpallur në kërkim kishin përshtatur, një depozitë, në peshkarexhë, për naftën e kontrabanduar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore, si dhe kishin ankoruar peshkarexhën pa njoftuar në zonën e ish-kantierit detar në portin e Durrësit.

Peshkarexha së bashku me 80.000 litra naftë të dyshuara të kontrabanduara është sekuestruar aty ku ajo  ishte ankoruar, ndërsa u shpallën në kërkim

Alban Malindi  38 vjeç, administrator i peshkarexhës, Flamur Aliu, 65 vjeç, kapiteni i peshkarexhës, dhe Nuri Xheka, 53 vjeç, mekaniku i peshkarexhës, të tre banues në Durrës.

Përveç sektorit të antikrimit ekonomiko-financiar në policinë e Durrësit në veprimet e para hetimore morën pjesë edhe policia kufitare, dega doganore Durrës, Antikontrabanda Detare dhe FSPD Durrës.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës po vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, identifikimin dhe vënien para përgjegjesisë ligore të shtetasve të tjerë të përfshirë.

Top Channel