Mbi 1.000 raste të reja me Covid 19 janë shënuar çdo ditë gjatë javës së fundit në vendin tonë, një rritje e ndjeshme krahasuar me pak javë më parë.

Mjeku Ilir Alimehmeti, në një analizë të situatës epidemiologjike në Shqipëri, thotë se shtimi i infektimeve vjen si pasojë e qarkullimit të nënvariantit të “Omicron”, BA5.

I ftuar në “Top Talk”, Alimehemti thotë se objekt studimi për ecurinë e koronavirusit janë rastet e rënda dhe fatalitetet dhe jo numri i infektimeve.

Nuk ka qenë kurrë arsye, numërimi i rasteve pozitivë, indikatorë i rëndësishëm ka qenë numri i të shtruarve në spital, pra rastet e rënda. Nëse në mars të 2020 do të vinte një virus që nuk shkaktonte forma të rënda, nuk shkaktonte shtrime në spital, a do të ishim shqetësuar ne? Përgjigja është jo.

Elementi i dytë ishte të mos tejmbusheshin spitalet, të mos futeshin të gjithë të sëmurët përnjëherë, ën mënyrë që të kishim mundësi t’i jepnim ndihmë njerëzve”.

Aktualisht, thotë epidemiologu, kemi numrin më të ulët të vdekjeve nga Covid, ndërsa BA5 do të dobësohet brenda verës.

“Sot, kemi një nënvariant të ri të Omicron, BA5. Është një nënvariant i cili ka nisur nga Afrika e Jugut, në prill atje shkaktoi një kurbë rritëse, u rrit përgjatë majit, ra përgjatë fundit të majit dhe qershorit dhe aktualisht nga Afrika e Jugut ka kaluar dhe nuk pamë ndonjë çudi nëpër spitale apo në humbje jete.

Rrezikojmë të na shfaqet diçka më agresive, apo do të vijë duke u zbutur. Po ndodhin nënvariante të Omicron, nuk po arrihet një variant krejt tjetër, siç kaluam nga Delta te Omicron. Fatmirësisht, Omicron është 80% më pak i rrezikshëm se sa Delta.

Probabiliteti për të pasur një nënvariant gjithnjë e më agresiv ekziston, por po bëhet gjithnjë e më i vogël. Valë pas vale, impakti te njerëzit ka qenë në rënie. Dhe këto janë gjasat më të mëdha, që valë pas vale, të vijë duke u lehtësuar.

Dhe mund të vijë momenti kur ta fusim te familja e madhe e viruseve, siç është gripi apo koronaviruse të tjera që kanë qarkulluar më parë. E rëndësishme është që nuk po shohim në asnjë shtet të botës, problem spitalor në rritje. Aktualisht, jemi në nivelet e vdekshmërisë më të ulëta gjatë gjithë pandemisë nga Covid 19.

Tani kemi një rritje se BA5 kapërcen mbrojtjen e sistemit imunitar, qoftë të vaksinës, qoftë infeksion i mëparshëm, por fatmirësisht vazhdojnë të mbajnë për format e rënda.

 Më mirë që po e kalojmë këtë sezon, se jemi në vende të hapura dhe të ajrosura, do të ishte ndryshe po të ishte në dimër, kur kontakti është më i ngushtë. Pra ky variant mund ta mbyllë pjesën e vetë deri në fund të gushtit, fatmirësisht jo me impakt të rëndë”.

Top Channel