Në kuadër të diskutimeve për trajtimin e diferencuar të fëmijëve me inteligjencë të lartë, na vjen në ndihmë memoria kolektive. Para mbi 30 vjetësh një djalë 10 vjeçar spikati për aftësitë e tij në matematikë. Lizandër Saraçi u kthye në fenomen kombëtar në atë kohë.

Lizandër Saraçi: Sigurisht që kam qenë i vetëdijshëm në ato vite, sepse kam qenë 9 vjeç e gjysmë, kur dola tek emisioni “Bashkë me ju”në televizionin publik, por nuk është se më ka interesuar ndonjëherë shumë pjesa e famës. Pastaj ne jemi vend aq i vogël, saqë këtu fjala famë e humb shumë kuptimin. Deri në klasën e dytë dhe të tretë kam punuar kryesisht me tim atë në matematikë. Besoj se nga klasa e tretë apo e katërt kam filluar të shkëputem dhe kisha një pedagog të veçantë deri në klasën e tetë. Orën e mësimit të Matematikës, nuk e bëja në shkollë, pjesën tjetër të lëndëve pastaj e bëja në shkollë. Më spikati babai im, pasi edhe ai ka studiuar shkenca ekzakte, Fizikë dhe Inxhinieri. Kam qenë 10 vjeç e gjysmë në vitin 1987 kur shkova në Francë që të më bënin një vlerësim të inteligjencës dhe shoqërohesha nga një pedagoge matematike, mike e familjes. Nuk lejoheshin familjarët, pasi ishte një vit pasi kishte ndodhur largimi i violinistit Tedi Papavrami me gjithë familjen. Niveli im i inteligjencës (IQ) rezultoi 160, por çfarë rëndësie ka kjo. Një gjimnaz në Nisë të Francës më ofroi një bursë për një vit, që të ambientohesha me sistemin francez. Për shkak të regjimit komunist nuk u lejova të shkoja atëherë, por me ndryshimet e viteve 90, shkova në Nisë dhe nisa studimet atje, me bursë që përfshinte gjithçka të paguar për vitin e parë.

Ishte një shkollë ku kishte programe te diferencuara për fëmijët me inteligjencë më të lartë se mesatarja. Unë mësoja lëndët e tjera si histori, Gjeografi, Frëngjisht me programin e klasës së 8 dhe 9, ndërsa matematikën e kisha të diferencuar, bëja programin e vitit të fundit, pra të maturës. Studimet e larta i ndoqa për matematikë, dhe masterin për matematikë të aplikuar në tregje, bursë.

IQ, pra inteligjenca nuk është e lidhur me pasurinë. Ka njerëz inteligjentë që kanë vdekur të varfër, siç ka edhe njerëz me inteligjencë normale, që kanë vdekur shumë të pasur. Kam 12 vjet që jetoj në Tiranë. Pyetja më e dhimbshme që më është bërë gjithë këtë kohë është: Pse u ktheve? Ta pyesësh një njeri pse u ktheve në shtëpinë tënde, në vendin tënd, është shumë e trishtë.

Unë kam qenë një fëmijë që nuk rrija vetëm mbi libra, por luaja dhe argëtohesha me shoqërinë. Marrëveshja me babanë tim ishte 3 ushtrime të vështira matematike, dhe një dorë letra. Unë u bëra I famshëm jo për artin si kënga apo vegël muzikore, por për matematikën, që është gjëja e fundit që do t’u interesonte njerëzve. Përkundrazi shumë moshatarë të mitë më akuzojnë dhe më thonë që prej teje na kanë nxirë jetën prindërit që na thoshin, ja pse nuk bëhesh si Lizandri, por po të njëjtën gjë bënin prindërit e mi më mua, përsa i përket  lëndëve shoqërore. Vdekja ime kanë qenë hartimet dhe recitimet e vjershave për Enverin.

Për fëmijët me inteligjencë të lartë, unë këshilloj që të ketë programe te diferencuara, që të mos e humbasin përqendrimin, mësimi t’iu bëhet sa më tërheqës dhe sa më sfidues, në mënyrë që të jenë gjithë kohën të impenjuar dhe të mos bien në grackën e përtacisë, sepse duke t’u dukur shumë të thjeshta gjërat, ti humbet vëmendjen edhe për gjëra që nuk janë më të thjeshta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA