Numri i vizitave në shërbimin parësor u rrit vitin e kaluar me 14.8%, por stafet infermierore kanë pësuar rënie, raportoi INSTAT.

Në vitin 2021 numri i vizitave në parësor arriti në mbi 7 milionë, nga 6.1 milionë më 2020, por në shërbimin publik ishin 6842 infermierë nga 6863 që ishin një vit më parë. Trupa e punonjësve në këtë fushë po emigron me ritme të shpejta drejt vendeve të tjera sidomos në Gjermani. Krahasuar me 2020 numri i infermierëve në këtë shërbim ka një rënie me 0,3%.

Në vitin 2021, numri i mjekëve në shërbimin parësor është rritur me 0,6%, krahasuar me një vit më parë.

Shërbimi parësor është kontakti i parë që i ofrohet popullatës për shërbimet e shëndetit publik dhe promocionit dhe ka një rol domethënës në parandalimin e barrës së sëmundjeve.

Shpenzimet publike në sektorin e shëndetësisë për vitin 2021 janë 63.570 milionë lekë. Këto shpenzime përbëjnë 10,67% të shpenzimeve publike gjithsej për vitin 2021 dhe zënë një peshë prej 3,36 % në PBB-në gjithsej.

Shpenzimet publike në shëndetësi shprehur si përqindje ndaj PBB kanë shënuar rritje me 0,23 pikë përqindje, ndërkohë shprehur si përqindje ndaj shpenzimeve publike gjithsej, kanë shënuar rritje me 1,01 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020..

Shërbimet e Kujdesit Parësor, financimi i tyre dhe informacioni i bollshëm ndaj tyre janë pasqyra ku një shtet tregon rëndësinë që i jep shëndetit të popullatës, parandalimit, kujdesit të hershëm, grupeve vulnerabil etj. Shtete të ndryshme kanë metoda raportimi të ndryshme mbi burimet e shpenzimeve dhe zërat e shpenzimeve në kujdesin parësor.

Por shumica e vendeve në Europë, sidomos ato në zhvillim ku bën pjesë edhe Shqipëria kanë pak informacion për treguesit që matin performacën e shërbimeve në kujdesin parësor.

Ky shërbim në Shqipëri financohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Por, teksa shpenzimet publike për shëndetësinë kanë ardhur në rritje vit pas viti, fondet për shërbimin parësor vijnë në ulje në raport me fondet totale. P.sh., në vitin 2016 shpenzimet për shërbimin parësor ishin sa 18.2 për qind e fondeve publike për shëndetësinë, ndërsa në vitin 2020, fondet që financuan shërbimin parësor zunë vetëm 14.3 për qind të buxhetit total të Fondit.

Shërbimet e kujdesit parësor në Shqipëri përfaqësojë kryesisht kujdesin e përgjithshëm ambulator dhe janë pjesë e Buxhetit të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor.

OBSH i vlerëson investimet e larta në shërbimin parësor si treguesin më të qartë se si një vend e ka vendosur shëndetësinë si prioritet. Në vendet me të ardhura mesatare investimet në linjën e shërbimit parësor rrisin cilësinë e shërbimeve dhe kanë ndikim të lartë në parandalimin e sëmundjeve.

Në shumë vende të Europës shpenzimet për kujdesin parësor zënë gati gjysmën e fondeve publike për shëndetësinë. Shpenzimet mesatare për kujdesin parësor përbënin 42 për qind të shpenzimeve aktuale për shëndetësinë në 37 vendet e Europës./ Monitor

Top Channel