Çdo grua është e rrezikuar nga kanceri i gjirit, ndaj mjekët këshillojnë që kontrollet të mos kryhen vetëm përgjatë muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, që është muaji tetor i çdo viti, por të vizitohen rregullisht, duke filluar që në adoleshencë.
“Problemi më i madh në Shqipëri është që shpeshherë kur evidentojmë kancerin e gjirit, në gati 80% të rasteve, është në fazën kur ai ka arritur stadin e 4 të zhvillimit, që do të thotë se ka lëshuar metastaza apo prekje të aksilave, sqetullave, duke e bërë në këtë fazë luftën tonë kundër kancerit të gjirit, pothuajse të pamundur. Një femër me gji normal, pra pa patologji të gjirit, duhet që një herë në vit të bëjë një kontroll rutinë. Patjetër që në moshë 13 vjeçare duhet të nis kryerjen e kontrolleve, sepse patologjitë e gjirit ndahen në dy grupe, në patologji që quhen beninje, ndërsa kanceri i gjirit, që është patologji malinje e gjirit, shfaqet përgjithësisht në moshat mbi 30 vjeç. Për gjithë femrat nga mosha e pubertetit deri në moshën 40 vjeç, ekzaminimi i parë protokollar për kontrollin e gjirit është ekografia, ndërsa mamografia është ekzaminim që përdor rrezet X, pra ka rrezatim jonizues dhe rekomandohet në femrat mbi 40 vjeç e lart. Ajo që vërejmë është një grup i femrave që vijnë për kontroll rutinë, dhe që është i pakët dhe pjesa tjetër janë paciente që normalisht shfaqin dhimbje në kraharor apo gji, që nga frika e kancerit paraqiten tek mjeku”, tha Dr. Almir Skana, Mjek Imazherist.
Në 2020 ishin 2.3 milionë gra në të globin të diagnostikuara më kancer gjiri dhe rreth 700 mijë vdekje në gjithë globin.
“Edhe Covidi sigurisht që ndikoi në sëmundshmërinë e gjigjit. Covid 19 është një gjendje që e vendos organizmin në gjendje stresi. Dihet që stresi shkakton substance oksiduese në organizëm që janë shkaktarët kryesorë për degjenerimet malinje të gjirit dhe nga ana tjetër që shpeshherë vaksinimi kundra Covidit apo vetë infeksionit mund të japë zgjerim të limfonodujve aksilarë, që janë disa gjëndra në sqetull, por që nuk janë problematike, sepse janë pasojë e reagimit inflamator të organizmit dhe nuk kanë lidhje me kancerin e gjirit, por çdo paciente që prek me dorë një gjëndër në sqetull apo diçka që nuk shkon në gjirin e saj, patjetër që duhet të kryejë një kontroll tek mjeku specialist”, tha Dr. Almir Skana, Mjek Imazherist, Poliklinika Nr. 3.
Top Channel