Serbia e mohon pa turp gjenocidin në Srebrenicë, vendin ku forcat serbo-boshnjake vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, gjatë luftës së viteve ’90. 11 korriku shënon 27 vjetorin e  masakrës më të madhe të pas Luftës së Dytë Botërore në Europë, e polemikat, ende nuk janë fashitur.

Kurti:  Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi nuk mund të riparohet. Por ai mund të njihet duke u pranuar. E në kohën kur jetojmë ne, viktimave u vendoset kripë në plagë çdo ditë që gjenocidi i Srebrenicës mohohet paturpshësisht nga Serbia. Kur roli i atij agresioni të tmerrshëm minimizohet deri në pafundësi. Kur organet që do të duhej të dilnin e të kërkonin falje me përulje, dalin e paturpësisht mohojnë ekzistencën e genocidit. Në kohëra si këto, duhet të kujtojmë që hapi i parë i përsëritjes së genocidit është mohimi.

Autoritetet në Serbi, por edhe udhëheqësit e serbëve të Bosnjës refuzojnë të pranojnë se në Srebenicë ka ndodhur genocid dhe masakrën e quajnë një “krim i madh”. Kjo pavarësisht faktit që Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur tashmë masakrën si gjenocid.Vitin e kaluar, ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar për Bosnjën, Valentin Inzko, e ka shpallur të jashtëligjshëm mohimin e gjenocidit dhe të krimeve të luftës, duke e bërë një akt të tillë të dënueshëm me burg.

Ngjarja e Srebrenicës ndodhi pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, më 1995. Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në masakër. Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhic, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladic.

Eshtrat e 50 personave, të identifikuara tani vonë, u vendosën të prehen në Qendrën Përkujtimore Potoçari – aty ku ndodhen varret e mbi 6,670 viktimave të tjera. Gjatë luftës së Kosovës ndërkohë,  janë vrarë rreth 13,000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800,000, ndërsa janë zhdukur rreth 6,000. Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1,600 persona.

Top Channel