Antonio Conte ka lënë jashtë grupit katër lojtarë, ndërsa pjesa tjetër e ekipit do të udhëtojë drejt Koresë së Jugut për fazën parapërgatitore.
Katër lojtarët në fjalë i kushtuan Tottenham-it më shumë se 110 milionë paund gjatë transferimeve, por klubi londinez po mendon që t’i shesë ata këtë verë ose të paktën kështu bëjnë me dije mediet britanike.
Reguilon është ndoshta emri surprizë mes katër lojtarëve që Conte ka zgjedhur të lërë në shtëpi. Mbrojtësi spanjoll ka impresionuar që kur u bashkua nga Real Madrid në vitin 2020, duke bërë 67 paraqitje në të gjitha garat në dy sezonet e tij me “Spurs”.
Lo Celso, nga ana tjetër, i ka pasur më të pakta mundësitë për të luajtur me ekipin e parë të Tottenham dhe u dërgua në huazim te Villarreal në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar. Klubi spanjoll raportohet se është i interesuar të nënshkruajë me argjentinasin dhe shumë shpejt pritet të nisin edhe negociatat mes palëve.
SuperSport shkruan se Harry Winks, produkt i akademisë së Tottenham po ashtu pritet të largohet pas tetë vjetësh si lojtar i “Spurs”.
Ndërkohë, Ndombele do të largohet nga Tottenham, tre vjet pasi iu bashkua klubit për 55 milionë paund nga Lyon. Sipas raportimeve të medieve britanike, francezi ka dështuar t’i përmbushë pritshmëritë që “Spurs” kishin kur e afruan. Francezi mund të kthehet në atdheun e tij, me PSG që thuhet se është i interesuar për nënshkrimin e mesfushorit.
Përveç katër lojtarëve të mbetur në shtëpi, edhe Joe Rodon do të qëndrojë në Britaninë e Madhe për shkak të problemeve shëndetësore.
Top Channel