Shqiptarët dhe Shqipëria/ Ekspozita e Jutta Benzenberg në galerinë “Marubi” në Shkodër

09/07/2022 15:17

Shqiptarët dhe Shqipëria, në sytë e një fotografeje gjermane, erdhën në Fototekën Kombëtare “Marubi” përmes një ekspozite të Jutta Benzenberg dhe nën kujdesin e kuratores Kim Knoppers.

Imazhet dhe historitë e rrëfyera, krijojnë një lloj biografie të vendit tonë që nga viti 1991 kur fotografja u takua për hërë të parë me Shqipërinë e deri në ditët e sotme.

“Në ekspozitën time do të gjeni karaktere nga më të ndryshmet të cilat janë tashmë pjesë e personalitetit tim. Pse fotografoj kaq shumë në Shqipëri ? Sepse këtu njerëzit janë të hapur të tregojnë emocionet e tyre dhe unë dua të jem afër tyre, kjo më plotëson. Unë vij nga Gjermania dhe atje jam mësuar që të mos I tregoj emocionet e mia, gjë që është e gabuar sipas meje dhe prandaj zgjodha Shqipërinë, që të ngjall dhe t’i shfaq emocionet e mia sërish. Njerëzit më pyesin mua se pse pas 30 vitesh unë jam në Shqipëri ? E pyes edhe veten. Një grua e mencur shqiptare më tha: ti nuk mund të largohesh, ke 30 vite që fotografon shqiptarët dhe tashmë zemra dhe mendja jote janë ketu.”

Benzenberg, vecon momentin e fotografimit të një prej burrneshave të fundit në vendin tonë.

“Kur gazetarët e huaj vijnë në Shqipëri dhe takohen me burrneshat duan të nxjerrin në pah pjesën mashkullore të tyre, por unë i thashë vetes JO. Doja të tregoja diçka tjetër, por as vetë nuk e dija se si ta realizoja. Ia lash gjithcka rastësisë. Kur realizoj portrete dua të nxjerr pjesën shpirtërore të njerëzve. Fillova të bisedoj me të, provova t’i ndryshoj pak modelin e flokëve dhe dalëngadalë u clirua, ishte më e qetë, nxorri në pah feminilitetin e saj. U kthye sërish në një femër, por sapo e shkrepa foton dhe e përfundova, menjëherë u rikthye ai burri që takova në fillim. Kjo ishte më e veçanta.”

Ekspozita “Shqipëria në fokus: tani, prej vitit 1991… ” e cila u cel falë mbeshtetjes se ambasades Gjermane dhe asaj Hollandeze do të qendroje e hapur për të gjithë artdashesit deri në muajin Nëntor.

Top Channel