Një ditë pas vrasjes së ish-kryeministrit Shinzo Abe, shumë njerëz të përlotur shkuan në vendin ku u vra ai, në Japoninë perëndimore për tu lutur dhe dërguar lule për të.
Njerëz nga të gjitha sferat e jetës formuan një radhë të gjatë të shtunën në rrugën ku Abe u qëllua, pasi u sulmua me armë zjarri në një ngjarje në qytetin Nara.
Abe, 67 vjeç, po mbante një fjalim për zgjedhjet, kur u qëllua me dy plumba.
Reshjet nuk i penguan turmat që erdhën për të shprehur ngushëllimet, ku disa kishin udhëtuar distanca të mëdha si 51-vjeçari Yoshikazu Tokudome, i cili fluturoi qindra kilometra nga rajoni i Tokios në qytetin e Nara.
“Unë kam vetëm dhimbje dhe mendova se më e pakta që mund të bëja ishte të vija këtu dhe të vendosja disa lule”, tha ai për AFP.
Kur dëgjoi për vdekjen e Abe, kryeministrit më jetëgjatë të Japonisë, ai tha se “unë mund të kuptoja se çfarë thuhej në lajme, por thjesht nuk mund ta pranoja”.
Vizitorët si Tokudome u përkulën thellë me sytë mbyllur, disa duke qarë ndërsa vendosnin lule në një tavolinë në një tendë të ngritur pranë stacionit Yamato-Saidaiji.
“Është thjesht tronditëse dhe jam shumë e trishtuar. Ndihesha shumë e shqetësuar në shtëpi,” tha Sumiko Hayashi, 50 vjeç.
“Më pëlqeu shumë edhe ai si person”, tha ajo, veçanërisht “mënyra se si dukej kaq i lumtur me gruan e tij”.
Dersa buqetë pas buqete u grumbulluan mbi tavolinë, ajo u bë një altar i improvizuar i stolisur nga fotot me kornizë dhe ilustrime vizatimore të një Abe të buzëqeshur, i cili u detyrua të jepte dorëheqjen nga detyra në vitin 2020 për shkak të shëndetit të dobët.
Shishe birre dhe pije të tjera u vendosën gjithashtu në tavolinë që politikani t’i shijonte në jetën e përtejme, por humori mbizotërues ishte i zymtë.
Duke fshirë lotët, 52-vjeçarja Kayoko Ueda, nga rajoni fqinj i Osakës, i tha AFP-së se ishte “e shqetësuar” dhe se nuk mund të besonte se diçka e tillë mund të ndodhte në Japoni.
Vrasja ka ndezur shqyrtimin nëse masat e sigurisë në fjalimin e Abes ishin të mjaftueshme.
“Siguria ishte e dobët. Ajo ekspozoi, mendoj, se si Japonia ishte e vetëkënaqur duke menduar se gjithçka është e sigurt këtu,” tha Ueda.
Akira Takahashi, një 54-vjeçare banore në Osaka, mendonte njësoj.
“Zyrtarët e rangut të lartë nga jashtë, si kryeministrat dhe anëtarët e kabinetit, shpesh vizitojnë Japoninë me supozimin se ky është një vend i sigurt”, tha Takahashi.
“Por unë mendoj se siguria duhet të forcohet shumë më tepër në të ardhmen”.
Me lot në sy, Takahashi tha se teksa vendoste lule, “i thashë “faleminderit për gjithçka dhe të lutem pusho në paqe”.
Top Channel