Emisioni Fiks Fare solli para disa ditësh problemin e analizave të qytetarëve në Vlorë.

Ata ishin të detyruar që analizat t’i  kryenin në privat pasi laboratori nuk funksiononte. Mjekët e familjes për këtë situatë të krijuar fajësonin koncesionarin.

Por e njëjta problematikë paraqitet në Tiranë dhe Elbasan. Bashkëpunëtorët e Fiksit në bazë të ankesave të qytetarëve shkojnë në poliklinikën e Elbasanit . Bashkëpunëtori paraqitet si i afërmi i dikujt me probleme “Ishemi Cerebral” dhe i duhet të përfitojë kemp.

Por njësoj si qytetarët edhe bashkëpunëtori i Fiksit sorollatet duke mos marrë zgjidhje. Në recepsion i thonë se laboratori i analizave ka një javë që nuk punon dhe vijon të mos funksionojë,  ndaj i sugjerojnë të takojë mjeken për shpjegimin se ku t’i bëj analizat. Bashkëpunëtori takon mjeken e cila i thotë që zgjidhjen duhet t’ja jap infermierja dhe jo ajo.

Bashkëpunëtori shkon takon infermieren. Ajo i thotë se nuk është personi që mund t’i jap shpjegime për analizat ndaj duhet të shkoj për këtë punë tek laboratori. Fiksi shkon për të marrë përgjigje në laborator për analizat. Këtu jo vetëm që nuk i japin përgjigje, por e drejtojnë bashkëpunëtorin e Fiksit  sërish tek recepsioni për të marrë informacion. Pra e kthyen sërish nga fillimi karvanin e sorollatjes për qytetarin dhe nuk i japin zgjidhje.

Gazetarët e Fiksit kërkojnë për këtë problematikë përgjigje tek koncesionari. Sipas përgjigjes së koncesionarit të kthyer për fiksin analizat janë kryer për të gjithë pacientet e referuar dhe nuk ka pasur probleme, por mjekët e familjes nuk kanë referuar pacientë. Fiksi kontakton me disa prej mjekëve të familjes të cilët thonë se kanë marrë mesazhe që të mos referojnë pacientë. Gazetarët e Fiksit për këtë kërkojnë përgjigje në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila në përgjigje për Fiksin nuk e pranon problemin, por këtë përgjigje e ktheu pasi u rregullua gjithçka.

Pra situata u përmirësua pas interesimit të Fiksit, këtë gjë e faktuan dëshmitë e mjekëve në Elbasan. Këta të fundit pranuan për Fiksin se problemi u zgjidh pas 10 ditësh.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel