Një stuhi e fuqishme pushtoi plazhin e Ksamilit mesditën e të premtes.

Në pamjet e xhiruara nga pushues, duken çadrat dhe shazlonet që fluturojnë nga era dhe përfundojnë në det, ndërsa punonjësit e subjekteve private vrapojnë të kapin çadrat. Kjo situatë ka bërë që pushues të shumtë të lënë plazhin dhe të largohen.

Gjatë orëve të mëngjesit në edhe qytetin e Vlorës nisën reshje të dendura shiu dhe u ulën temperaturat.

Ndryshimi i motit ka bërë që të largohen pushuesit nga bregdeti. Ndërsa pronarët e plazheve kanë mbledhur shezlonet nga bregu. Reshjet e shiut kanë shkaktuar trafik në Vlorë.

Një pamje të pazakontë për muajin korrik kishte dhe bregdeti i Durrësit këtë të premte. Plazhet e Adriatikut dhe shëtitorja bregdetare “Taulantia” në Durrës u braktisën nga pushuesit.

Përkeqësimi i kushteve atmosferike i ka larguar pushuesit nga vija bregdetare, ndërsa gjiri i Durrësit është përfshirë nga moti i paqëndrueshëm, i karakterizuar nga vranësira, erë dhe reshje shiu herë pas here. Largimi nga plazhet ka shkaktuar qarkullim të shtuar në akset rrugore të qytetit.

Edhe në Shëngjin shiu ka larguar pushuesit nga plazhi, ndërsa pronarët e subjekteve kanë mbyllur çadrat dhe shezlonet. Aktualisht nuk paraqiten probleme në zonën e Shëngjinit dhe Lezhës.

Ndërsa një pjesë e qytetit dhe disa fshatra të Librazhdit si dhe qyteti i Prrenjasit janë pa energjia elektrike prej disa orësh.

Shkak dyshohet të jenë bërë reshjet e dendura të shiut që kanë nisur prej mesditës. Autoritete ende nuk kanë njoftuar se ku ka ndodhur defekti që ka shkëputur energjinë në këto zona. Ndërkohë dhe temperaturat janë ulur ndjeshëm në të gjithë vendin.

 

Top Channel