Shisnin varret! Arrestohet 8 persona në Tiranë, 2 po ndiqen në gjendje të lirë

06/07/2022 19:36

Disa muaj hetime nxorën në drite një skemë korrupsioni që favorizonte marrjen e kredive të buta në Bashki, ndërtimet pa leje si dhe prenotimin e varreve në Tufinë kundrejt pagesës.

Policia e Tiranës dhe prokuroria identifikoi të përfshirë në këtë skemë 12 persona ku 8 u arrestuan 2 u proceduan në gjendje të lirë dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim.

Mes të arrestuarve për Korrupsion, Ushtrim i ndikimit i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim të detyrës është Eljodor Ndini, me detyrë Drejtor i Agjencisë së Shërbimeve Funerale në Bashkinë e Tiranës dhe Xhemal Mena, Latif Shehu, Gazment Daja punonjës të Sektorit të Varrezave Tufinë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

Bujar Lica, Alban Ajazi dhe Endrin Milla Akuzohen për  Ushtrim i ndikimit i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe Fatjon Gjonaj për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kundrejt shpërblimit nga 30.000 deri 50.000 lekë të rinj, duke shpërdoruar detyrën, kanë siguruar vendvarrime për shtetas të ndryshëm, në varrezat e Tufinës.

Gjithashtu, nga këqyrja e aparateve celulare të të arrestuarve dyshohet se nëpërmjet ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të sektorëve të tjerë, mundësonin nxjerrjen e lejeve të ndërtimit dhe rindërtimit, nga institucionet përgjegjëse, për banesat e dëmtuara nga tërmeti, kundrejt pagesës 200.000 lekë të rinj;  nxjerrjen e certifikatave të pronësisë pranë ASHK-së; përfitimin e certifikatave të vaksinimit kundër Covid-19, kundrejt pagesës 30.000 lekë të rinj, si dhe përfitimin e kredisë të butë pranë bashkisë Tiranë.

 

Top Channel