Pikë kufitare  e lëvizshme/ Motoskafi i policisë do pajisë me leje në det jahtet që do hyjnë në hapësirën e Shqipërisë

06/07/2022 15:30

Turistët e huaj që do të vijnë në Shqipëri apo shqiptarë që duan të dalin në Mesdhe me mjetet e tyre lundruese do tu lehtësohet lëvizja falë vendosjes së një Poste Kufitare të Lëvizshme.

Ata do të regjistrohen qoftë në hyrje ashtu edhe në dalje pa qenë  nevoja të paraqiten në portet e vendit tonë. Lajmin e bëri të ditur ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi teksa ishte në Durrës në ceremoninë e dorëzimit të 5 varkave të reja të patrullimit dhe 2 pajisjeve të survejimit me teknologji të lartë për ruajtjen e kufirit, të financuara nga Bashkimi Europian përmes programit IPA.

Një lajm i mirë për të gjithë lundërtarët dhe përdoruesit e detit që duan të vijnë në Shqipëri dhe që duan të dalin nga Shqipëria për të shijuar brigjet e Mesdheut, ne do të vendosim në brigjet shqitpare një Post Kufitare Lëvizëse në mënyrë që çdo mjet lundrues që do të hyjë në Shqipëri nuk ka nevojë të shkojë në një nga 3 portet kufitare që ka Shqipëria, por mjafton të lajmërojë në pikën ku është dhe do të vijë vetë mjeti i kufirit për të kryer të gjithë procedurat e hyrjes në territorin e Shqipërisë.

Imagjinoni përballë Drimadhes, një plazh në Dhërmi shumë i populluar, ndodhet ishulli i Othonit dhe një njeri që do të vijë nga Othonoi edhe për të shijuar një drekë në Drimadhes ku largësia me një mjet motorik normal nuk është më shumë se 30-40 minuta, detyrohet të shkojë në Sarandë, të merrte vulën e hyrjes në Shqipëri dhe pastaj të vinte në Drimadhes. Të hante drekën dhe pastaj të shkonte sërish në Sarandë që të kthehej në Othonoi”, deklaroi ministri Çuçi.

Lidhur me shtimin e 5 mjeteve të reja në flotën e Policisë Kufitare dhe riparimin e plotë të 7 të tjerave, si dhe instalimi i 2 radarëve për mbikëqyrjen e kufirit blu, ministri theksoi se ky është një hap më tej në sigurinë jo vetëm të kufijve të Shqipërisë, por në sigurinë e kufijve të Evropës.

Top Channel