Në një muaj, arrestohen 19 policë! Gjatë qershorit, 50 efektivë në ndjekje penale për korrupsion dhe shpërdorim detyre

05/07/2022 19:37

Agjencia e mbikëqyrjes policore gjatë qershorit ka arrestuar 19 punonjës policie si edhe ka referuar materialet në prokurori për 50 të tjerë kryesisht për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit.

Top Channel mëson se nga fillimi I vitit në vend janë arrestuar 78 policë si dhe janë referuar materialet në prokurori për 189 efektivë të cilët shërbejnë në policinë e rendit, rrugore dhe atë të kufirit.

Rasti më i fundit i policëve të kapur në shkelje është shënuar në 30 qershor në Korçë ku 3 punonjës policie u pezulluan nga ushtrimi i funksionit publik pasi kryen veprime arbitrare ndaj një qytetari që e ndaluan para disa muajsh për mos vendosjen e maskës anti-covid por i komunikuan se do ta ndëshkonin për disa vjedhje të pa zbardhura.

Më 28 qershor një nënkomisar u arrestua nga kolegët e tij se pasi përplasi me makinë një të mitur 13 vjeç u Largua nga vendi i aksidentit dhe u përpoq t’ja kalonte fajin të vëllait duke pretenduar se ishte ai i fundit në timon.

Rasti më serioz ishte ai i 27 qershorit që çoi në masën arrest shtëpie 2 nën drejtorët e Policisë Elbasan Albert Nushi dhe Nikolin Palla si edhe 6 efektivë shqiponja në pezullim. Ata dyshohen për veprat penale shpërdorim detyre dhe Deklarim të rremë në lidhje me vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, 4 ditë para zgjedhjeve.

Po ashtu janë janë arrestuar 2 policë kufitarë në Kapshticë dhe dy të tjerë në qafë thanë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasi dyshohet se lejonin kalimin e mallrave kontrabandë.

Ndërsa në Shkodër 2 inspektorë dhe 2 nën komisarë dyshohet se shpërdoruan detyrën dhe favorizuan kultivimin e kanabisit. Një tjetër inspektor u pezullua nga puna në Lushnjë se lejoi ndërtimet pa leje.

Nga fillimi I vitit në Agjencinë e mbikëqyrjes Policore kanë mbërritur mbi 23 mijë ankesa për punonjësit e policisë. Numrin më të lartë të denoncimeve e kanë punonjësit e rendit dhe pas tyre vijnë ata të policisë rrugore.

Top Channel