Konflikti mes dy vëllezërve në Vlorë për fitimet e biznesit të përbashkët në plazhin e Radhimës, degjeneroi deri në përdorimin e armëve mesditën e të hënës.

Beniamin Kondi i cili jeton në Angli ka debatuar me të vëllanë Edison Kondi një natë më parë, debat që vijoi dhe të hënën por këtë radhë duke përdorur dhe armët. Mësohet se me armë zjarri ka qëlluar Edisoni, në drejtim të të vëllait por pa e prekur.

Të dy vëllezërit u larguan me shpejtësi nga ambienti i plazhit që ndodhet në zonën e Radhimës, ndërsa policia u vu në ndjekje të tyre dhe pas pak orësh i ka arrestuar të dy.

Ndërkohë mësohet se Beniamin Kondi që jeton në Britaninë e madhe, ka precedent të mëparshëm penalë, ka qenë në burg në Angli. Përdorimi i armëve ka rrezikuar jetën e shumë turistëve që ndodheshin në plazh në atë moment. Pas krismave ata kanë ikur në panik.

Shumica e pushuesve ishin të huaj. Turistët italianë tregojnë me detaje ngjarjen, por frikë nuk përjetuan vetëm turistët e huaj në plazhin e Radhimës.

Pas arrestimit policia ka marrë në pyetje që të dy protagonistët e incidentit.

Top Channel