Shtyhet gjyqi për Salianjin! Kërkohet në gjykatë prania e të dëmtuarit nga cështja “babale”

04/07/2022 19:55

Me një vendim fajësie që i rëndon prej 2019 dhe nuk ka marrë formë të prere, Ervin Salianji nisi përballjen me prokurorinë e apelit që ngul këmbë se ai kreu kallëzim të rremë në dosjen Babale së bashku me Fredi Alizotin, Albert Veliun dhe gazetarin Jetmir Olldashi.

Dosja që tronditi politikën në atë kohë dhe që solli dorëheqjen e Fatmir Xhafës sipas prokurorisë nuk ishte gjë tjetër veçse një skenar që përfshiu dëshmitarin X dhe një shok të tij të joshur për përfitim personal.

Por Albert Veliu, njohur ndryshe si babalja u largua për azil politik , kurse bashkëpunëtori i tij Fredi Alizoti i vetmi që bëri burg sipas gjykatës së apelit u tërhoq nga apelimi mbasi e ka vuajtur dënimin.

Në këto kushte politikani Salianji pret të jetë dyfish i akuzuar jo vetëm nga prokuroria por edhe nga njeriu të cilin ai e akuzoi, Geron Xhafa për të cilin gjykata e apelit kërkoi të njoftohet për nisjen e procesit mbasi ka statusin e viktimës dhe të dëmtuarit

Me kohën që ka kaluar të vetmet rrethana që kanë ndryshuar për deputetin Ervin Salianji janë pakësimi i demokratëve përrah tij, por edhe kjo jo për shkak të tij

Majin e 2018, nga selia e PD,  Salianji publikoi një audio përgjim ku dëgjohej zëri i dëshmitarit X, Albert Veliu që bisedonte me një person tjetër i cili u servir si vëllai i ish ministrit të brendshëm Fatmir Xhafa.

Por nga hetimi u provua se ai zë ishte i Fredi Alizotit që  imitoi vëllain e zyrtarit të lartë nën premtimin e Babales se do paguhej.

Për shkak të grevës së avokatëve dhe se duhet njoftuar jo vetëm Geron Xhafaj por edhe i akuzuari tjetër Jetmir Olldashi , seanca e radhës u caktua në 18 korrik

 

Top Channel