Plagosja e dy policëve në Kosovë, nis seanca gjyqësore për nënkryetarin e komunës Skënderaj dhe dy vëllezërve të tij

04/07/2022 17:42

Gjykata Themelore e Mitrovicës po mban seancën për caktimin e masës së paraburgimit për ish nënkryetarin e komunës së Skënderaj, Nuredin Lushtakut dhe dy vëllezërve të tij Fatonit e Arifit për sulm ndaj dy zyrtarëve policor.

Sipas prokurorisë i gjithë sulmi mori shkas nga një gjobë trafiku që polici Enver Berisha i kishte vendosur djalit të Nuredin Lushtakut, Arbërit për mosvënien e rripit të sigurimit.

Pas kësaj, Nuredin Lushtaku me vëllezërit e tij kishin shkuar për të zgjidhur hesapet me policin Enver Berisha, i cili për të evituar sulmin kishte shtënë dy herë në ajër.

Prokuroria pretendon se pas kësaj tre vëllezërit Lushtaku e kanë goditur me kondak të armës policin Berisha me armët që kishin në posedim.

Derisa, sipas hetuesisë zyrtari policor është alivanosur nga goditjet dhe pastaj është dëgjuar një e shtënë tjetër pas së cilës është konstatuar se polici tjetër Mergim Geci është plagosur, por që ende nuk dihet nga kush dhe arma e kujt.

Po ashtu, prokuroria pretendon se armën e policit Enver Berisha e kishte marrë Nuredin Lushtaku të cilën ia kishte dërguar Bekim Jasharit, ish kryetar i Komunës se Skenderajt, i njëjti pastaj e kishte dorëzuar në polici.

Gjithashtu nga seanca u nxor përfundim që zyrtari policor Enver Berisha kishte probleme edhe më parë me vëllezërit Lushtaku.

Nuredin Lushtaku dhe Arif e Faton Lushtaku dyshohen për veprat penale sulm ndaj zyrtarit policor, mbajtja në kontroll i armës së zjarrit dhe përdorimi i mjetit të rrezikshëm apo armës.

Top Channel