Çdo ditë mesatarisht policia e Tiranës shoqëron nga 4 deri në 5 persona që konstatohen në aksione rastësore me doza droge, më së shumti kanabis e me tej kokainë, por edhe ekstazi.

Por fenomeni i përdorimit të drogës po prodhon krime si dhuna në familje, grabitjet me dhunë por edhe plagë sociale dhe drama familjare.

Në kontekstin e këtij fenomeni në gjykatën e Tiranës po vërehet një tjetër trend, ndërhyrja e shërbimeve sociale që u heqin kujdestarinë prindërve përdorues dhe me vendim gjykate ia kalojnë shtetit, mbasi ata nuk janë në gjendje të kujdesen për ta.

I moshuari Pëllumb Ibrahimi mbërriti në gjykatën e Tiranës menjëherë sapo policia shkoi për të marrë foshnjën e të bijës, një 25 vjeçare që ka probleme jo vetëm me varësinë e drogës, por edhe me shëndetin mendor.

Dramat e familjes së tij nisën nga droga kur 25-vjeçarja një përdoruese heroine dhe në një rast e konstatuar me mbidozë refuzoi ndihmën. Në shtator e reja solli ne jetë një vajzë për të cilën njësia administrative numër katër raportoi në gjykatë se në një rast ajo e la foshnjën në trotuar, pa përkujdesje dhe të zhveshur.

Mbas vendimit që e dërgoi foshnjën për përkujdesje alternative, 65-vjeçari lutet që mbesën ta rrisin gjyshërit

Megjithatë marrjen e masës emergjente të largimit të foshnjës, për gjyshin edhe ky vendim është një sprovë tjetër.

Zyrtarisht nuk disponohen të dhëna përfundimtare se sa është numri i përdoruesve në Shqipëri, pavarësisht statistikave të përafërta. Aktualisht pragu i përdoruesve ka zbritur dhe rezulton se të miturit po përdorin drogë.

Madje në një rast një i mitur u shty në vjedhje dhe më pas shpërblehej me drogë, kurse në një dosje tjetër nën hetim disa të mitur po vjedhin në zonën e Kombinatit pikërisht për të fituar para e për të blerë drogë.

Top Channel