Foto ilustruese

Nëntë persona janë vënë në pranga në Tiranë, për vepra të ndryshme penale.

Një 46-vjeçar me iniciale F. C., është arrestuar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e arrestit me burg për “Vrasja më dashje”, mbetur në tentativë dhe “Plagosja e rëndë me dashje”. Autori më 11.05.2022 ka goditur me mjet prerës shtetasin me iniciale G. K., pas një konflikti për motive të dobëta.

Policia ka arrestuar edhe tetë persona të tjerë përkatësisht për veprat penale:

-P. M., 52 vjeç, banues në Babrru, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes;

-R. K., 54 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik” gjatë një konflikti me kunatin e tij në banesë. Gjatë arrestimit ai ka kanosur dhe kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë.

-M. M., 40 vjeç u arrestua, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes;

-B.M., 41 vjeç po drejtonte motorin, në gjendje të dehur;

-B. T., 25 vjeçe ka aksidentuar me makinë shtetasen D. Gj., 85 vjeçe, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve;

-E. Q., 57 vjeç u kap duke drejtuar mjetin, në gjendje të dehur;

-Xh. H., 27 vjeç pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Gjatë kontrollit iu gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një leje drejtimi e dyshuar e falsifikuar;

-B. Xh., 41 vjeç pasi drejtonte mjetin, pa leje drejtimi.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

 

Top Channel