Reagimi i avokatëve për të kundërshtuar hartën e re gjyqësore ka kaluar në një tjetër nivel pasi për 10 ditë avokatët kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë edhe seancat për dhënien e masës së sigurisë.
Por gjatë kësaj të enjte jo gjithë avokatët e zbatuan vendimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë me pretendimin se nuk ishin njohur zyrtarisht me këtë vendim.
Nga ana e saj Dhoma e Avokatisë ka paralajmëruar se avokatët që nuk zbatojnë vendimin do të përballen me sanksione që shkojnë deri në heqjen e licencës së avokatisë
Në gjykatën e Tiranës këtë të enjte u mbajt masa e sigurisë për 5 të arrestuar, 2 për kundërshtim të forcave të policisë dhe 3 për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit.
Ndërkohë më shumë se 60 seanca gjyqësore u shtynë pas kërkesës së avokatëve.
Për të zhvilluar seancën e radhës këtë të enjte erdhi dhe një 34 vjeçar nga Yzberishi i cili prej 6 muajsh është në masën e sigurisë arrest shtëpie pasi ka shkaktuar aksident në gjendje të dehur dhe ka dëmtuar 3 makina të parkuara. Mungesa e avokatit për shkak të bojkotit, por edhe të gjyqtarit të shkarkuar nga vettingu e ktheu të riun të shoqëruar me punonjës policie sërish në shtëpi.
E njëjta situatë ndodhi edhe në gjykatat në rrethe ku qindra seanca u shtynë për shkak të bojkotit të avokatëve dhe vetëm në raste sporadike u zhvillua masa e sigurisë.
Bojkoti i Avokatëve çon gjykatën në ngërç pasi çdo masë sigurie e dhenë pa praninë e mbrojtësit ligjor kthehet në e pavlefshme. Brenda 48 orëve nga ndalimi apo arrestimi i personit prokurori çon kërkesën e masës së sigurisë ne gjykate e cila brenda 48 orëve te tjera duhet te marr vendim.
Ne seancat e vlerësimit te arresteve, ndalimit etj, prania e mbrojtësit është e detyrueshme si e drejte e personit dhe mosmarrja pjese e ben te pamundur zhvillimin e seancave sipas parashikimeve te kodit të procedurës penale.
Top Channel