Debat i ashpër është krijuar në Kuvend mes deputetit demokrat, Dashnor Sula dhe ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina IBrahimaj.
Deputeti akuzon qeverinë se nuk po merr masa konkrete për të ndihmuar qytetarët shqiptarë në krizën e çmimeve që po përjeton vendi.
Ndërkohë, ministrja e Financave ka replikuar duke u shprehur se shifrat janë të pavërteta dhe ka akuzuar deputetin se flet me ton populist.
“Qeveria i bën aktet sipas interesave të veta. Nuk jemi kundër se e dimë që edhe kompanitë nga rritja e çmimit duhet të indeksohen, por pse indeksohen vetëm kompanitë të cilat marrin fonde publike dhe jo qytetarët e thjeshtë që blejnë çdo ditë me çmime të larta. Filozofitë e ministres së Financave nuk janë të vërteta. Me paketën e rezistencës kë kategori ke kapur? Pensionisteve u ke dhënë 90 mijë lekë për tre muaj, a ia zgjidh kjo hallin? Po shtresat në nevojë? Me 80 mijë lekë do mbahen? Kjo është paketa e rezistencës. Maqedonia e Serbia, e Kosova ka dhënë më shumë se ne. Edhe vini këtu na thoni gjëra të pavërteta”, tha Sula.
“Ju nuk hiqni asnjë taksë. A e dini që keni grumbulluar miliona euro, 342 milion? Kthejani qytetarëve. Këto janë të vërtetat. Nuk ka nevojë për filozofira. Sa do zgjasë varfërimi i qytetarëve. E vërteta është një shoqëri e varfër dhe një qeveri e pasur. Nuk ka më njerëz në bujqësi, shihni Peqinin, Gramshin, Belshi, janë shkretuar. Unë e di që opozita ka problematikat e veta, kemi pasur ne 3 4 oligarkë por ju i bëtë 25. Jam i bindur që këtu tani një pjesë e politikanëve të lartë nuk sillen si politikanë por biznesmenë”, shtoi deputeti.
Ibrahimaj: Mund të dilni në foltore me ton populist e pa thelb. Mund të mos dëgjoni argumentimet tona e të mos lexoni shifrat. Rritja ekonomike nuk vjen vetë por nga politikat e qeverisë. Mund të përmendni shifra të rreme, ju ftoj t’i lexoni e t’i kuptoni. Ju nuk doni të kuptoni që mbështetja e qeverisë shqiptare për krizën është 44. 5 miliard lekë. qeveria rishpërndan dhe bën politika që frenojnë rënien ekonomike.
Sula: Nuk i shpik unë këtu, ju po gënjeni haptazi ditën për diell dhe nuk ju bën syri tërr.
Ibrahimaj: U sugjeroj ekonomistëve të merren me çështjet ekonomike dhe të tjerëve të merren me çështjet që i përkasin. Siç është shpjeguar në shumë raste TVSH-ja për 99% të bizneseve është zero. Nuk ndërhymë te norma e TVSH se e dinim që nuk do kishte efekt, por ndërhymë te subvencioni që i dhamë shqiptarëve. Analizat tregojnë se politika jonë ka qenë produktive.
Top Channel