Lëshonte dokumente të falsifikuara për të tjetërsuar zonën e mbrojtur të Kune Vainit, në pranga kryetari i fshatit

29/06/2022 12:32

Numri i të ndaluarve në kuadër të operacionit “Tjetërsimi i Lagunës”, për goditjen e veprimtarive të paligjshme në zonat e mbrojtura ka shkuar në katër.

Një tjetër funksionar publik është vënë në pranga, Pjetër Luka dhe janë sekuestruar dokumente të dyshuara të falsifikura.

Operaciocni nisi rreth një muaj më parë, për goditjen e veprimtarive të paligjshme që po zhvilloheshin në zonën e mbrojtur të Kune Vain, në të cilat u përfshinë katër funksionarë publikë, tre prej të cilëve u ndaluan, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.

Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” për 62- vjeçarin banues në Grykë Lumi të Tales, me detyrë kryetar i këtij fshati.

Ai dyshohet se në periudha të ndryshme kohore, ka përpiluar dhe lëshuar dokumente të falsifikuara, me qëllim tjetërsimin e kësaj prone, në favor të të tretëve.

Policia vijon operacionin për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Top Channel