Vrasja e Xhuvanit, policët fajtorë? Në arrest shtëpie dy ish-drejtues policie në Elbasan, pezullohen dhe 6 “shqiponja”

28/06/2022 11:56

Kur ka kaluar më shumë se një vit nga vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan dhe plagosja e 4 të tjerëve katër ditë para zgjedhjeve, 8 punonjës policie janë nën masë sigurie me vendim të gjykatës së Elbasanit.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore së bashku me Prokurorinë e Elbasanit kanë hetuar punonjësit e policisë për shpërdorim detyre dhe deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore. Gjykata la nën masën arrest shtëpie zëvendës drejtorin e policisë Berat Albert Nushi i cili në momentin kur ndodhi ngjarja ishte zv drejtor për krimet në Elbasan. Në po të njëjtën masë sigurie u la edhe Nikollaq Palla Zv/drejtor për rendin dhe sigurinë publike në Policinë e Elbasanit.

Gjithashtu, Gjykata ka caktuar masat e sigurimit personal “Pezullimi i ushtrimit të një detyre shtetërore, apo shërbimi publik” për 6 punonjës të forcave shqiponja përkatësisht: Dedjon Duraku, Pëllumb Biçaku, Erjon Balla, Erjon Meçja Donald Dedja dhe Besmir Kadiu.

Sipas hetuesve, shpërdorimi i detyrës nga ana e policisë qëndron në mos-parandalimin e ngjarjes pasi simpatizantët e dy partive politike kishin njoftuar policinë rreth 1 orë para për konfliktin mes tyre. Mos shoqërimi I tyre në komisariat prodhoi vrasjen e Pjerin Xhuvanit dhe plagosjen e 4 të tjerëve.

Dy javë më parë në Lagjen “5 Maji” në Elbasan u rindërtua skena e vrasjes ku u pyetën jo vetëm protagonistët por edhe dëshmitarët okular në ngjarje. Nga rindërtimi I skemës u zbulua se punonjësit e policisë kishin vepruar ndryshe nga si kishin deklaruar në momentin pas ngjarjes.

Në 21 prill të vitit 2021, gjatë një përplasje me armë mes dy grupimeve politike mbeti i vrarë mjeku Pjerin Xhuvani, në atë kohë eksponent i PS ndërsa mbetën të plagosur 4 persona të tjerë mes të cilëve një punonjëse policie. Pas ngjarjes, në polici u vetë dorëzua si autor i krimit Arbër Papleka, shoqërues i drejtues politik të PD të Elbasanit në atë kohë Gazmend Bardhi. Papleka, ish-efektiv i Reneas qarkullonte në Elbasan i armatosur si pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës, strukturë e cila ishte ngritur nga PD në të gjithë vendin.

Top Channel