Pensionistët e vetëpunësuar në sektorin privat nuk do të paguajnë më për kontributet e sigurimeve shoqërore.

Projektligji me propozimin e Financave për përjashtimin e pagesave për këtë kategori është hedhur për konsultim publik dhe synon lehtësimin e tyre nga barra e kontributeve.

Aktualisht pensionistët që vazhdojnë të punojnë kanë detyrimin të paguajnë sigurimet, por kjo nuk reflektohet në pensionin që ata marrin, pasi koha e vetëpunësimit nuk u njihet si periudhë sigurimi.

Sipas projektligjit, janë në total 1 484 përfitues të pensionit të pleqërisë që janë të vetëpunësuar në sektorin privat duke dhënë një kontribut vjetor prej 169.8 milionë lekë për sigurimet, para që shkojnë për fondin e sigurimeve shoqërore.

Por me miratimin e këtij projektligji, kjo shumë do të zbritet nga të ardhurat në fondin e sigurimeve shoqërore.

Kjo ishte edhe një ndër çështjet e përfshira në Këshillimin Kombëtar ku 66% e qytetarëve iu përgjigjën pozitivisht pyetjes për ndërmarrjen e nismës për përjashtimin e kësaj kategorie nga pagesa e detyrueshme për sigurimet shoqërore.

Sipas relacionit të projektligjit, përjashtimi nga pagesa e kontributeve të kësaj kategorie nuk përbën problem në administrimin fiskal dhe tregun e punës, por përkthehet vetëm në pakësim të të ardhurave për fondin e sigurimeve shoqërore.

 

 

Top Channel