Më shumë se 2000 hektarë tokë e mbjellë me misër në fushën e Vurgut, në Finiq, Sarandë e Konispol është prekur dhe po dëmtohet çdo ditë nga paraziti më serioz i kësaj kulture, Diabrotica virgifera, i njohur ndryshe si paraziti i rrënjëve.

Larvat e tij ushqehen me rrënjët e misrit, gjë që zvogëlon aftësinë e bimës për të thithur ujin dhe lëndët ushqyese nga toka ndërsa insekti i rritur ushqehet me mëndafshin e kallirit duke dëmtuar pllenimin.

Ekspertët lokalë të bujqësisë dyshojnë se larvat e parazitit mund të kenë hyrë në Shqipëri përmes importit të pajisjeve bujqësore të përdorura, ndoshta nga Greqia pasi në fushën e Vurgut një prej ekonomive më të rëndësishme të misrit në vend situata regjistrohet për herë të parë.

Fermerët i pikasën dëmet gati 10 ditë më parë por fakti që për ta paraziti ishte i panjohur mund të ketë përkeqësuar situatën, duke kërcënuar tani gati 50% të prodhimit.

Ekspertë të Ministrisë së Bujqësisë që kryen verifikime në terren rekomanduan spërkatjen me një pesticid të miratuar kundër insektit por ende nuk ka një përgjigje nëse do të ketë ndihmë për spërkatje nga ajri. Çdo ditë e agravon edhe më shumë situatën pasi ritmi i përhapjes është shumë i lartë.

Spërkatja me mjete bujqësore e cila ka nisur përveçse shkatërron automatikisht 15% të prodhimit nuk mundëson parandalimin në kohë të fenomenit për më tepër që nuk janë duke e kryer të gjithë fermerët.

Në fushën e Vurgut prodhimi i misrit siguron jetesën e më shumë se 400 fermerëve përveçse qindra punëtorëve të bujqësisë. Kostove të shtuara për punimet, farërat, ujitjen, karburantet, plehrat këtë vit po i shtohet edhe dëmi i jashtëzakonshëm i parazitit Diabrotica virgifera.

Insekti që mendohet se e ka origjinën prej Amerikës Qendrore mbërriti në Europë dhe shkaktoi dëme serioze në në fillim të viteve ‘90 dhe që atëherë i kushton ekonomisë Europiane mbi 472 milionë euro çdo vit.

Top Channel