Eksploziv makinës në Shkodër! Forcat xheniere realizojnë shpërthim të komanduar, momenti i ndërhyrjes

28/06/2022 18:39

Një pako e dyshimtë është gjetur në një makinë në Shkodër këtë pasdite, ndërsa qytetarët kanë lajmëruar policinë.

Sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat  forcat xheniere kanë ndërhyrë dhe kanë realizuar shpërthim të komanduar të pakos me lëndë eksplozive.

Sipas qytetarëve, një person me motor ka hedhur një pako afër makinës dhe është larguar. Bazuar në informacionet  paraprake, makina është në pronësi të drejtoreshës së Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm  të Kujdesit Shëndetësor, Suida Kuka.

Lënda plasëse është gjetur në afërsi të gomës së parë të makinës tip “Range Rover”.

Nga shpërthimi, është dëmtuar pjesa e përparme e makinës dhe pjesa e pasme e makinës tjetër të parkuar.

“Në vijim të informacionit paraprak për një pako të dyshimtë që u konstatua në lagjen “Vojo Kushi”,  Shkodër, në afërsi të një mjeti “Range Rover”, në pronësi të shtetases S. K., banuese në fshatin Demiraj, Malësi e Madhe, me detyrë Drejtoreshë e Drejtorisë së Shëndetit Publik Shkodër, ju informojmë se:

Në vendin ku u konstatua pakoja e mbyllur erdhi njësia antieksploziv e RENEA-s, e cila bëri shpërthim të kontrolluar të pakos, brenda së cilës rezultoi se kishte lëndë eksplozive. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, sipas policisë.

Nuk dihet ende shkaku i vendosjes së pakos me eksploziv në makinën e saj dhe nëse është në konflikt me persona të tjerë. Policia e Shkodrës ka nisur hetimin e ngjarjes dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

FOTO GALERI
1/20

Top Channel