Mori fuoristradën tip “Benz”, e shqetësuar për të çuar të birin në spital sa më shpejt, por ky rezultoi të ishte udhëtimi i fundit për 25 vjeçaren Klaudia Xhaferraj dhe djalin e saj 6 vjeç.

Mjeti i tyre doli nga rruga Antipatrea në Berat këtë të hënë dhe nënë e bir humbën jetën në ujërat e Osumit.  “Top Channel” ka siguruar pamje të aksidentit të rëndë të filmuara nga kamerat e sigurisë në zonë.

Kur ora shënon 13.57 në rrugën Antipatrea, e cila është me 2 sense lëvizje, shfaqet mjet i 25 vjeçares i cili kalon mbi trotuar përplaset mbi kangjella e më pas përfundon në lumë. Dëshmitarët në vendngjarje thonë se 25 vjeçarja po udhëtonte shpejt dhe kreu një parakalim të gabuar.

Të parët që kanë konstatuar aksidentin kanë qenë banorë të zonës që tentuan të nxjerrin të aksidentuarit nga makina por për ta ishte vonë pasi mbërritën të vdekur në spital.

“Top Channel” mëson se 6 vjeçari para aksidentit kishte pasur komplikacione shëndetësore dhe e ëma po e dërgonte në spital. Bashkëshorti I së ndjerës ishte emigrant dhe ajo kujdesej e vetme për të birin.

 

Top Channel