SHISH tregon spiunin: U rekrutua nga një vend jo mik për të paguar shkollimin e djalit

25/06/2022 15:14

Shërbimi Inteligjent Shtetëror publikoi raportin për vitin 2021 nga ku sillet një shembull se si u survejua e u zbulua një diplomat i huaj i një vendi jo mik qe po rekrutonte një zyrtar shqiptar për ti marre informacion sekrete.

Ne shkëmbim zyrtari i larte përfitonte pagesa për shkollimin e te birit jashtë vendit. Sipas shërbimit sekret Shqipëria është në fokusin e agjencive inteligjente dhe të sigurisë së vendeve jo mike.

Sipas shish veprimtaria e këtyre agjencive, në kontekstin e rreshtimit dhe anëtarësimit të vendeve të rajonit në aleancat perëndimore dhe synojnë krijimin e vonesave dhe pengesave në integrimin e këtyre vendeve në strukturat e BE-së dhe NATO-s. Në raportin e shish thuhet se si një zyrtar shqiptar u shit tek një agjent i huaj, i maskuar si diplomat në Tiranë.

Gjatë monitorimit të aktivitetit të një punonjësi të huaj të dyshuar të një agjencie inteligjente të një vendi jomik dhe me mbulesë diplomatike që, në këtë rast, po e quajmë me nofkën “Rezidenti”. Dyshimet e para se “Rezidenti” kishte nisur një operacion të mundshëm rekrutimi erdhën pas frekuentimit të disa kabinave publike telefonike, në orare të përafërta në ditë të caktuara të muajit, të cilat realizoheshin pas lëvizjeve në rrugët e qytetit në këmbë dhe me automjet, për t’u siguruar që të ishte jashtë rrezes së monitorimit të strukturave të specializuara. Pritësi i thirrjeve telefonike ishte një shtetas shqiptar, punonjës në institucionin qendror A. Punonjësin këtu po e quajmë me emrin “Çelësi”. Në një rast, në vigjilje të Vitit të Ri, “Rezidenti” komunikon me “Çelësin” dhe i kërkon një takim për ta uruar për festat e fundvitit. Nisur nga kjo situatë, u ndërmorën disa veprime të kualifikuara për të dokumentuar takimin dhe për të vlerësuar nivelin e marrëdhënieve mes tyre.

Në raport thuhet se u morën masa për të parë nëse zyrtari shqiptar kishte mundësi të mësonte secrete. Pas disa takimeve në zyrë dhe në kafe, agjenti I huaj e fton zyrtarin shqiptar në një drekë jashte Tiranës. Zyrtarii pranoi të takoheshin për t’u njohur më mirë dhe për të shfrytëzuar këtë kontakt “diplomatik” me synim shkollimin me bursë studimi që ofronte shteti i “Rezidentit” për djalin e tij.

Gjatë drekës, “Rezidenti” krijoi një njohje më të plotë të profilit personal dhe të punës, të aksesit të “Çelësit” ndaj informacionit të klasifikuar, duke i premtuar se do ta ndihmonte për shkollimin e djalit. “Çelësi” u ankua se, me të ardhurat si nëpunës, e kishte të pamundur shkollimin e djalit jashtë vendit dhe i shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar. “Rezidenti” i thotë se asgjë nuk ishte e pamundur nëse ky do të ofronte ndihmë dhe të mblidhte disa informacione që nuk do të cenonin detyrën e tij funksionale. Pas një ngurrimi të shkurtër, “Çelësi” ra dakord në parim për ta ndihmuar dhe “Rezidenti” i kërkoi disa informacione, duke i siguruar edhe një pajisje elektronike për hedhjen e tyre. “Rezidenti” i përcaktoi edhe takimin e radhës për darkë, në një zonë dhe lokal tjetër, jashtë qytetit.

Në takimet e radhës, të organizuara në mënyrë të paracaktuar apo nëpërmjet telefonatave nga kabina të telefonave publikë, agjenti I huaj i ka dhënë zarfe me para zyrtarit shqiptar. Gjithashtu, ka paguar gjithmonë faturat e shpenzimeve.  Fshehtësinë e takimeve të tilla agjenti e ka justifikuar me arsyetimin se e bën për të mbrojtur zyrtarin shqiptar dhe prandaj i ka dhënë edhe një numër tjetër telefoni, ku ai të komunikonte në raste urgjente.

 

Top Channel