Talebanët duan ndihmë! Mes krizës, duhet të përballojnë pasojat e tërmetit

23/06/2022 12:48

Tërmeti shkatërrimtar në Afganistan dhe pasojat që la pas janë një sfidë që talebanët nuk mund ta kalojnë të vetëm.

Udhëheqësit e rinj e kanë izoluar vendin duke ndjekur politika të ashpra të linjës ekstremiste islame. Por tani kërkojnë ndihmë për të vazhduar me operacionet e shpëtimit dhe për të rimëkëmbur zonat e prekura.

Nuk mund të japim shifra të sakta se sa shtëpi janë shkatërruar, por janë mijëra banesa. Fshatra të tërë janë shkatërruar. Bëjmë thirrje për ndihmë sepse nuk mund ta përballojmë të vetëm këtë ngjarje. Duam që komuniteti ndërkombëtar të punojë me ne në këtë moment dhe të vazhdojë bashkëpunimin me ne”, thotë Sharafuddin Muslim.

Afganistani është në mes të një krize humanitare dhe ekonomike, dhe zyrtarët taleban thonë se qeveria e  ka të pamundur të përballojë financiarisht dëmet materiale.

Afganët po përcjellin mes dhimbjesh të dashurit e tyre, ndërsa të mbijetuarit tregojnë momentet e tmerrit.

Bibi Haw ai mbijetoi lëkundjen së fortë të tokës, por humbi 19 familjarë:

“Shtatë familjarë në një dhomë, pesë në dhomën tjetër, katër në një tjetër ambient të shtëpisë dhe tre të tjerë… të gjithë këta vdiqën në familjen time… nuk mund të flas më shumë! Më është dobësuar zemra nga dhimbja”.

Tërmeti me magnitudë 6.1 të shkallës Rihter shkaktoi mbi 1000 viktima dhe 1500 të plagosur. Ende nuk dihet numri i personave të mbetur nën rrënoja, ndërkohë që kërkimet po pengohen nga reshjet e dendura të shiut dhe mungesa e burimeve.

 

 

FOTO GALERI
1/12

Top Channel