Producentja nga Kosova, Vjosa Berisha, ka ndërruar jetë këtë të enjte, pas një beteje të vështirë me kancerin.

Lajmin e hidhur e ka njoftuar bashkëshorti i saj, Fatos Berisha, përmes një postimi në rrjetet sociale:

“Me pikëllim të thellë bëjmë të ditur se e dashura jonë Vjosa Berisha ndërroi jetë, sot me datë 23 qershor në spitalin University College Hospital në Londër. Datën dhe vendin e varrimit do ta bëjmë të ditur më vonë. Familjet Berisha dhe Istrefi”.

Vjosa Berisha ishte themeluese e festivalit PriFilmFest, edicioni i 14-të i të cilit është planifikuar për 26-30 korrik, ndërsa për t’i mbështetur filmbërësit e Ukrainës, ky edicion do të jetë nikoqir i edicionit të 13-të të Odesas.

E diplomuar në master të Arteve në Media dhe Komunikim nga Universiteti i Westminster, Londër në Mbretërinë e Bashkuar dhe me një diplomë pasuniversitare në Diplomaci Bashkëkohore nga Universiteti i Maltës, në Maltë, Vjosa Berisha ka pasur përvojë mbi 20 vjet në industrinë e filmit.

Që nga viti 2013-të, Vjosa Berisha është gjithashtu anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit.

Gjithashtu ajo ishte producente e dy filmave artistikë, “Cirku Fluturues” (2019) me skenaristin dhe regjisorin Fatos Berisha dhe bashkëprodhoi filmin artistik maqedonas “The Happiness Effect” (2019) me regjisorin Borjan Zafirov

Top Channel