Natyra rekuperohet ngadalë në ishullin grek, një vit pas zjarreve shkatërrimtare në Evia (fotot)

23/06/2022 19:46

Gjelbërimi ka nisur ngadalë të çajë mes tokave të thara e pyjeve të djegur në ishullin grek të Evia, një vit pas zjarreve masive të verës së shkuar.

Në 2021 flakët shkatërruan rreth një të tretën e mbulesës pyjore të ishullit, ku fermerët dhe rritësit e blerëve ende vuajnë pasojat.

Teksa sezoni i zjarreve kërcënon ishullin përsëri, zyrtari i pyjeve Elias Apostolidis thotë se qëllimi kryesor është evitimi i asaj që ndodhi verën e shkuar.

“Në disa zona ka rekuperim më të mirë se të tjerat”, thotë ai teksa janë ende të dukshme faqet e nxira të maleve dhe ‘kufomat’ e pemëve të djegura.

Zyrtarët shtojnë se pyjet e lëndinat që prodhonin mjaltin më të mirë të zonës do të duan dy dekada për t’u rekuperuar, ndërsa mënyra më e mirë është që natyra të ringrihet me forcat e saj.

Për dy javë gushtin e shkuar rreth 40,000 hektarë u përfshinë nga tymi e zjarri në Evia, 80 kilometra në lindje të Athinës në një shkatërrim masiv të botës vegjetative.

Mijëra vendas e turistë u larguan drejt veriut të ishullit mes skenave apokaliptike të evakuimeve e shkatërrimit.

Verën e kaluar zjarret përfshinë të gjithë Evropën jugore, madje dhe Turqinë e Algjerinë.

 

FOTO GALERI
1/15
Gjelbërimi ka nisur ngadalë të çajë mes tokave të thara e pyjeve të djegur në ishullin grek të Evia

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA