Kremlini: Luftëtarët vullnetarë amerikanë të kapur në Ukrainë, mund të përballen me dënimin me vdekje

21/06/2022 16:50

Kremlini ka bërë me dije se vullnetarët amerikanë të kapur në Ukrainë, nuk mbulohen nga konventat e Gjenevës dhe mund të përballen me dënimin me vdekje.

Deklaratat u bënë nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pas pretendimeve në mediat ruse se dy nga tre vullnetarët amerikanë të zhdukur në Ukrainë ishin kapur dhe mbaheshin nga forcat separatiste pro-ruse.

Dy burrat u arrestuan nga separatistët e mbështetur nga Rusia në Donetsk, pasi u kapën javën e kaluar, sipas mediave shtetërore ruse.

Alexander Drueke, 39 vjeç dhe Andy Tai Ngoc Huynh, 27 vjeç, të dy nga Alabamau filmuan në një qendër paraburgimi në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetsk (DPR) ditën e premte.

Kërcënimi i dënimit me vdekje ndaj dy burrave vjen pas dënimit me vdekje të dy britanikëve dhe një marokeni që u dorëzuan në Mauripol pas luftimeve me forcat ukrainase, mes disa sugjerimeve se Rusia mund t’i përdorë këta burra për të bërë pazare për lirimin e rusëve të kapur.

Ndërsa Rusia ka një moratorium mbi dënimin me vdekje, ky moratorium nuk shtrihet në Republikën e Donetskut, pavarësisht se është një përfaqësues i Moskës.

Dy amerikanët u zhdukën në fillim të këtij muaji gjatë një beteje në veri të Kharkiv.

Top Channel