Njëmbëdhjetë ushtarakë dhe dy civilë janë vrarë sot në një sulm të rëndë në autobus në veri të Sirisë, për të cilin dyshohet Shteti Islamik.
“Rreth orës 6:30 mëngjesin e sotëm një autobus civil u bë objekt i një sulmi terrorist në autostradën Raka-Homs pranë qytezës al-Jira, çka solli martirizimin e 11 ushtarëve dhe dy civilëve, si dhe plagosjen e tre njerëzve të tjerë të personelit ushtarak”, tha agjencia shtetërore SANA, duke cituar burime ushtarake.
Agjencia nuk dha detaje nëse ishte një pritë apo një bombë në rrugë, por provinca e Raka, ka qenë më parë bastion i Shtetit Islamik në Siri.
Grupi britanik Observatori i të Drejtave të Njeriut i cili monitoron dhunën në Siri, tha se numri i viktimave ishte 15.
“Mjeti ishte një autobus ushtarak dhe nuk rezulton të ketë viktima civile, por vetëm personel ushtarak”, tha kreu i Observatorit Rami Abdel Rahman, për agjencinë Dpa.
Edhe muajin që shkoi në një sulm të ngjashëm u vranë 10 ushtarë sirianë dhe u plagosën nëntë të tjerë.
Ende nuk ka një marrje përgjegjësie për sulmin e sotëm.
Top Channel