Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç shprehet se akoma nuk ka marrë një vendim nëse do të jetë pjesë e samitit të BE-së që pritet të mbahet në Bruksel më 23 qershor, pavarësisht se është ftuar.
Ai thekson se para se të marrë një vendim, do të bisedojë me liderët e “Open Balkan”, si dhe me anëtarë të qeverisë serbe, sipas medias serbe.
“Dua të konsultohem me qeverinë, por edhe me njerëzit e Ballkanit të Hapur, që të marr vendim nëse do të shkojmë në Bruksel dhe çfarë qëndrimi do të mbajmë”, tha ai.
Duke folur për vazhdimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës në nivel teknik në Bruksel, ai tha se shpreson të paktën në një marrëveshje, por se është i interesuar edhe se çfarë do të ndodhë të enjten, më 23 qershor në Samitin e Brukselit.
I pyetur nga gazetarët se çfarë pret nga dialogu i nesërm në Bruksel, Vuçiç është përgjigjur se pret që të jetë në rregull, përveç nëse, thotë ai, pala tjetër “shpik diçka sërish”.
“Shpresoj se mund të arrijmë një marrëveshje, sepse kjo do të ishte marrëveshja e parë për disa gjëra elementare, të cilat do të ishin të rëndësishme”, tha Vuçiç.
Ai theksoi se është shumë i interesuar se çfarë do të ndodhë të enjten, në Samitin e BE-së dhe liderëve të Ballkanit Perëndimor, sepse në bazë të kësaj, thotë ai, do të mund të konkludojë se cila do të jetë arkitektura e Evropës.
Vuçiç përmendi se kjo do të jetë ndoshta dita më e rëndësishme dhe më interesante në 10 vitet e fundit në nivel evropian.
“Sepse pas kësaj do të shohim se si është arkitektura e Evropës, të kuptojmë se çfarë po na vjen dhe ta kuptojmë më mirë vendin tonë, pa nënvlerësuar apo mbivlerësuar as ne dhe as ata”, tha ai.
Top Channel