Tritol biznesit të 58-vjeçarit në Durrës, momenti i shpërthimit të lëndës plasëse/ Shkak dyshohet një konflikt i mëparshëm

19/06/2022 12:00

Një sasi lënde plasëse ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të së dielës në Durrës.

Ngjarja ndodhi në zonën e ish-kënetës, në lagjen 17/1 në rrugën “Shenjtorët”.  Eksplozivi është hedhur në drejtim të fasadës së një dyqani që i përket një 58-vjeçarit Shaban Aga.

Si pasojë e shpërthimit ka vetëm dëme materiale. Aga ndodhej vetëm në shtëpi në çastin e shpërthimit, po shprehet se prej kohësh ndodhet nën presion dhe nuk jeton i qetë në shtëpinë e vet.

Sipas policisë vendore, autor i dyshuar i ngjarjes është një 31-vjeçar nga Burreli me të cilin familja Aga ka një konflikt të mëparshëm.

”Unë nuk e di çfarë konflikti ka ky njeri me djalin. Më ka ardh para 6 muajsh dhe më ka bërë presion te lavazhi. I thashë ik. Të tjerat t’i zbardhë policia”, tha Aga.

Kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentin, kur rreth orës 03:11, një makinë hedh nga xhami lëndën plasëse.

Pak sekonda më vonë lënda shpërthen duke hedhur në erë hyrjen e dyqanit dhe shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Aga ka një djalë në Angli dhe duket se një konflikt i tij atje është transferuar në Durrës ku banojnë prindërit e tij.

Sipas pronarit të objektit ku shpërtheu eksplozivi, në polici janë bërë nga ana e tij 5 kallëzime dhe ai pret që  të vendoset drejtësi e të jetojë i qetë në shtëpinë e tij, pasi nuk i ka borxh askujt personalisht.

Top Channel