Polonia mobilizon mbi 20 mijë policë në shkolla pas tre sulmeve me thikë, Kryeministri Tusk: Nuk do të ketë tolerancë ndaj dhunës

12/10/2026 13:50

Polonia ka nisur një operacion të gjerë policor për të garantuar sigurinë në shkolla, pas tre sulmeve të njëpasnjëshme me thikë në institucionet arsimore.

Më shumë se 20 mijë efektivë policie pritet të angazhohen në shkolla, ndërsa autoritetet kanë intensifikuar kontrollet dhe masat parandaluese.

Kryeministri polak, Donald Tusk, deklaroi se vendi po përballet me një tendencë shqetësuese të rritjes së dhunës mes të rinjve. Gjatë një takimi urgjent për menaxhimin e krizave, ai paralajmëroi për ndikimin e përmbajtjeve që glorifikojnë dhunën në internet, duke përmendur edhe promovimin e ideologjisë naziste dhe kulturën e dominimit.

Sipas Tusk, këto prirje po ndikojnë negativisht te të rinjtë dhe po kontribuojnë në përhapjen e sjelljeve të dhunshme.

Ministri i Brendshëm, Marcin Kerwiński, theksoi se autoritetet do të reagojnë me vendosmëri ndaj çdo sulmi në institucionet arsimore. Ndërkohë, policia bëri të ditur se që nga e premtja ka inspektuar rreth 80 mijë institucione arsimore dhe ka arrestuar 135 persona.

Gjatë kontrolleve është evidentuar edhe një rast, në të cilin një student kishte krijuar një model dixhital të shkollës së tij në lojën online Roblox, ku simulonte sulme ndaj nxënësve. Sipas policisë, ai u gjet në posedim të një arme zjarri, municioneve dhe thikave.

Ngjarja më e fundit u regjistrua të shtunën në një shkollë profesionale në Varshavë, ku tre persona mbetën të plagosur. Ky ishte sulmi i tretë me thikë në një institucion arsimor polak brenda katër ditësh.

Të enjten, një 15-vjeçar, ish-nxënës i një shkolle fillore në verilindje të Varshavës, vrau një punonjëse të institucionit dhe plagosi dy mësues. Sipas raportimeve, ai mbante një kamerë të vendosur në helmetën e tij.

Një tjetër sulm ndodhi të mërkurën në një shkollë në Ostrołęka, në veri të kryeqytetit, ku një 19-vjeçar plagosi dhjetë persona, përfshirë edhe veten.

Autoritetet polake kanë hedhur poshtë pretendimet se sulmet ishin të koordinuara përmes një provokimi online nga një grup i organizuar. Megjithatë, qeveria ka paralajmëruar për masa më të forta për të parandaluar dhunën dhe për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor.

Top Channel