Nga “Diamanti i Shkretëtirës” te stadiumi i parë i çmontueshëm! Tetë “kryeveprat” ku do luhet Katar 2022

19/06/2022 14:27

Në Katar do të organizohet Botërori i 22-të në histori.

Turneu më i rëndësishëm dhe emocionues i futbollit, do të luhet për herë të parë në dimër, teksa fillon më 21 nëntor të këtij viti dhe përfundon më 18 dhjetor. 32 kombëtare do të luftojnë fort mes tyre, ndërkohë që tetë janë stadiumet e përzgjedhura për zhvillimin e ndeshjeve.

Khalifa International, Al Janoub Stadium, Education City Stadium, Ahmad Bin Ali Stadium, Al Thumama Stadium, Stadium 974, Al Bayt Stadium dhe Lusail Stadium. 80 mijë vende ka ky i fundit, aty ku do të luhet edhe finalja e madhe e Kupës së Botës. I marrim me radhë.

KHALIFA INTERNATIONAL STADIUM – Ky stadium ndodhet në Doha dhe ka kapacitet prej 45.416 vendesh. Inaugurimi ndodhi në vitin 1976, teksa rinovimi u bë pesë vite më parë. Tetë ndeshje do të luhen këtu, ku bie në sy finalja për vendin e tretë.

AL JANOUB STADIUM – Vetëm 20 km larg kryeqytetit Doha, kapaciteti i tifozëve që mban është 40 mijë dhe është inauguruar në vitin 2019. Këtu do të luhen shtatë ndeshje, të gjitha në fazë grupesh ose në raundin e 16-të.

EDUCATION CITY STADIUM – Një nga impiantet më të qëndrueshme në botë, i ndërtuar në masën 20% me materiale ekologjike. Stadiumi mori një vlerësim me pesë yje nga GSAS (Sistemi Global i Vlerësimit të Qëndrueshmërisë) në vitin 2019 përpara se të inaugurohej një vit më pas. I njohur si ‘Diamanti i Shkretëtirës’, ish-shtëpia e finales së Kupës së Botës për Klube 2021, ka një kapacitet prej 40,000 vendesh dhe do të presë tetë ndeshje.

AHMAD BIN ALI STADIUM – Ndodhet në Al Rayyan dhe ka kapacitet prej 40 mijë vendesh. Ky stadium u ndërtua në vitin 2003, ndërkohë që u rinovua në vitin 2016. Shtatë sfida do të luhen në këtë stadium.

AL THUMAMA STADIUM – Stadiumi ndodhet në Al Thumama, 12 km larg Dohës. Kapaciteti është 40 mijë tifozë, ndërsa u përurua vetëm një vit më parë. Tetë përballje do të luhen këtu, stadium ku do të zhvillohet edhe sfida hapëse mes Senegalit dhe Holandës.

STADIUM 974 – U inaugurua në vitin 2021. Ky është stadiumi i parë tërësisht i çmontueshëm në historinë e Kupës së Botës. Pas kompeticionit ai do të çmontohet. Kapaciteti? 40 mijë vende, ndërkohë që do të presë shtatë takime.

AL BAYT STADIUM – Ky stadium gjendet në Al Khor, 35 km larg kryeqytetit. Është një nga stadiumet më të mëdhenj të Botërorit (60 mijë vende). Tetë “beteja” do të zhvillohen këtu, përfshirë edhe një nga dy gjysmëfinalet. U inaugurua vetëm një vit më parë.

LUSAIL STADIUM – Stadiumi më i rëndësishëm. Dhjetë ndeshje do të luhen këtu (rekord), mes tyre edhe finalja e madhe. Stadiumi ndodhet në Lusail, 15 km larg kryeqytetit Doha. U inaugurua këtë vit, vetëm pak muaj para nisjes së turneut. Kapaciteti? 80,000 tifozë!/ Super Sport

Top Channel