Organizata më e madhe në vend në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve ka bërë publike propozimet e saj ligjore në mbrojtje të fëmijëve nga pedofilët dhe grabitqarët seksualë.

Ajo kërkon ndryshimin e moshës seksuale në të cilën lejohet fillimi i marrëdhënieve seksuale, në 16 vjeç.

Kjo organizatë iu drejtua në një seancë dëgjimore Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.

 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë në nenin 100 të tij përcakton moshën 14 vjeç si mosha kufi minimale në të cilën një adoleshent apo adoleshente mund të hyjë në marrëdhënie seksuale. Një ligj ky që mbron në raste pedofilie të rriturit që kryejnë marrëdhënie me të mitur”, tha Altin Hazizaj, Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri.

Por në Shqipëri, kjo duket se kthehet në një situatë e cila favorizon grabitqarët seksuale dhe pedofilët, të cilët mund të mbështeten në këtë ligj për të detyruar apo për të kërkuar marrëdhënie seksuale edhe me fëmijët të moshës 14 vjeç, duke mos u penalizuar aspak nga ligji.

Përveç vendeve të lindjes në Europë, tashmë pothuaj të gjitha vendet e tjera e kanë rritur tashmë moshën minimale kufi të hyrjes në marrëdhënie seksuale në 15 dhe 16 vjeç.

Bazuar në këtë përvojë, Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri ka nisur punën dhe ka përgatitur propozimet ligjore që do t’i drejtohen Kuvendit për të ndryshuar Kodin Penal ekzistues.

Në vendin tonë, rastet e abuzimit me marrëdhëniet seksuale me të mitur të moshë 14 vjeç e sipër, janë rritur dhe janë kthyer në një ndër problematikat kryesore për opinionin shqiptar.

Nga ana tjetër grabitqarët seksualë kërkojnë gjithnjë e më tepër viktima të moshës 14 vjeç e sipër për të anashkaluar problemet me ligjin dhe pa u cilësuar aspak të tillë.

Top Channel