Juventus gati për një fillim të ri, klubi bardhezi hedh ‘sytë’ nga dyshja e Liverpool-it

26/05/2026 09:37

Juventus ka nisur rindërtimin për sezonin e ri nën drejtimin e trajnerit Luciano Spalletti, pas një sezoni zhgënjyes dhe dështimit për t’u kualifikuar në Champions League.

Klubi torinez synon të rikthehet në nivelet që i takojnë historisë së tij dhe për këtë arsye ka hedhur sytë nga Liverpool, duke monitoruar dy prej emrave më të rëndësishëm të skuadrës angleze: Alisson Becker dhe Andrew Robertson.

Interesimi për portierin brazilian nuk është i ri. Sipas raportimeve, Alisson ka arritur tashmë një marrëveshje paraprake me Juventusin për një kontratë tre-vjeçare deri në vitin 2029, me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër. Portieri konsideron se aventura e tij në Angli ka përfunduar dhe raporti i mirë me Spallettin, i cili e ka stërvitur te Roma, mund të luajë rol vendimtar në transferim.

Mësohet se Alisson është në bisedime direkte me Liverpoolin për të gjetur një marrëveshje që do të mundësonte largimin e tij me kushte të favorshme financiare për të dyja palët.

Ndërkohë, Juventusi po tenton edhe afrimin e mbrojtësit skocez Robertson, por për të do të ketë konkurrencë të fortë nga Tottenham Hotspur. Skuadra londineze, e lidhur me projektin e trajnerit Roberto De Zerbi, e konsideron Robertson si profilin ideal për krahun e majtë të mbrojtjes.

Kontrata e Robertson me Liverpoolin skadon më 30 qershor dhe largimi i tij si lojtar i lirë duket tashmë i konfirmuar. Juventusi i ka paraqitur futbollistit një ofertë konkrete për kontratën dhe pagën, ndërsa vendimi final pritet t’i takojë vetë lojtarit.

Top Channel