Edhe një herë veteranët e luftës u mblodhën para Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë për të kërkuar që pensionet e tyre të përfshihen në ligjin për rritjen e pagës minimale.

Protesta që filloi në orën nëntë para rrethojave të institucioneve shpejtë u zhvendos brenda oborrit.

Me forcë veteranët kaluan rrethojën e hekurt të Kuvendit, derisa nga hyrja e Qeverisë u përplasën me Policinë.

Për orë të tëra qëndruan para këtyre institucioneve për të kërkuar, siç thanë të drejtat e tyre.

Mes tjerash veteranët kërkuan edhe ndërprerjen e seancës që po zhvillohej në Kuvend.

Opozita dy herë arriti ta ndalë, por nuk u mirëpritën nga veteranët.

Shoqatat e dala nga lufta kërkuan takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin gjersa mbahej protesta, por ftesën e morën për të premten paradite.

Ndonëse OVL UÇK u pajtua për ditën dhe kohën e takimit, të njëjtët këmbëngulën për ndërprerjen e seancës, çka thanë se do të vendosin edhe tenda nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Veteranët vazhduan të qëndronin para Kuvendit herë-herë duke tentuar të futeshin brenda objektit.

Megjithatë me dështimin e seancës, veteranëve iu kërkua nga krerët të shpërndahen. E OVL UÇK njoftoi se nuk do të lejojë mbajtjen e asnjë seance deri të kthehet prapa ligji që mundëson rritjen e pagës minimale pa pensionet e tyre.

Top Channel