”Zelensky nuk nuk na dëgjoi”, Biden: E paralajmëruam që Rusia do ta pushtonte Ukrainën! 

11/06/2022 12:01

Volodymir Zelensky nuk deshi t`i dëgjonte paralajmërimet e inteligjencës amerikane se Rusia do ta pushtonte Ukrainën, deklaroi presidenti amerikan Joe Biden. Biden i bëri këto komente teksa fliste për donatorët në Los Angeles të Kalifornisë lidhur me vazhdimin e mbështetjes për vendin e përballur prej muajsh me agresionin brutal rus.  

“Asgjë e tillë nuk kishte ndodhur që prej Luftës së Dytë Botërore. E di se shumë njerëz menduan që ndoshta po ekzagjeroja. Por të dhënat tona të inteligjencës tregonin se Vladimir Putin do ta jepte urdhrin e pushtimit, megjithatë Zelensky nuk deshi të dëgjonte.”– tha Biden.

Përpara se të niste pushtimin në 24 shkurt, Rusia kaloi javë të tëra duke grumbulluar trupat ushtarake në kufirin me Ukrainën, duke nxitur spekulime në të dy krahët- nëse po përgatitej apo jo të sulmonte, ndërsa Kremlini vazhdonte mohimet.

Në fund të janarit, pas paralajmërimeve të zyrtarëve amerikane se pushtimi mund të ndodhte vërtet, një zyrtar i paidentifikuar ukrainas i tha CNN-it se Zelensky i kishte kërkuar Bidenit të “zbusnin mesazht për pushtimin”.

Drejtoresha e Inteligjencës në SHBA, Avril Haines pohoi se në përpjekje për të bindur aleatët skeptikë, shefi i Shtëpisë së Bardhë deklasifikoi edhe një pjesë të informacioneve mbi sulmin e mundshëm rus. Që prej fillimit të luftës, Shtetet e Bashkuara i kanë siguruar miliarda dollarë ndihmë Ukrainës, përfshorë dhe armatime.

Forcat ukrainase kanë arritur ta zbrapsin me sukses ofensivën ruse në qytetet e mëdha, përfshirë Kievin e Kharkivin, por luftimet vazhdojnë e madje janë ashpërsuar në rajonin lindor të Donbasit, kur Moska ka përqëndruar tani fushatën e saj.

Top Channel