Paralajmërimi i OKB-së: Uri kronike pas luftës në Ukrainë, do preken miliona!

11/06/2022 12:18

Pakësimi i rezerva ushqimore për shkak të bllokimit të eksporteve të drithërave dhe produkteve të tjera ushqimore nga Ukraina dhe Rusia mund të bëjë që 11 milionë deri në 19 milionë njerëz të vuajnë nga uria kronike gjatë vitit të ardhshëm, tha agjencia për ushqim e Kombeve të Bashkuara.

Pushtimi rus i Ukrainës ka rritur çmimet e drithërave, vajrave ushqimor, karburanteve dhe plehrave.

Rusia dhe Ukraina janë eksportuese të mëdha të grurit, pasi këto dy shtete përbëjnë një të tretën e furnizimeve botërore me grurë. Rusia po ashtu është një prej eksportueseve më të mëdha të plehrave, ndërsa Ukraina eksporton grurë dhe vaj luledielli.

“Ndikimi i luftës mund të bëjë që 11 deri në 19 milionë njerëz të preken nga uria kronike në 2023. Shtetet që po preken më shumë janë në rajonin e Afrikës së Veriut dhe Jugut, duke pasur parasysh varësinë e tyre të madhe ndaj importeve, sidomos të grurit, por edhe të vajrave ushqimore.”- tha Boubaker Ben Belhassen nga Organizata për Ushqim dhe Agrikulturë.

Këto vlerësime bazohen në uljen e eksporteve të produkteve ushqimore nga Ukraina dhe Rusia. Shtete të tjera, përfshirë në Azi, gjithashtu po preken jashtëzakonisht nga bllokadat në eksportet ukrainase. Portet ukrainase në Detin e Zi janë bllokuar nga trupat ruse, të cilat kanë nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, duke rritur shqetësimet për një krizë globale të ushqimit.

Top Channel