Edhe pse i mbijetoi votëbesimit në grupin parlamentar të partisë së tij konservatore, Kryeministri britanik Boris Johnson, kërkon ta mbyllë  këtë kapitull vështirësish qeverisëse, ndërkohë që kundërshtarët e tij dhe analistët politikë mendojnë se kryeministri i ka muajt e numëruar, siç tregon historia politike e shumë pararadhësve të tij, të cilët janë larguar ose janë dorëhequr nga posti pas mocioneve të tilla edhe kur i kanë fituar ato.

Edhe pse ish-kryeministri legjendar britanik Uinston Curcill, pat deklaruar se një votë mbi kundërshtarin quhet fitore, apo siç thonë francezët, një vezë është e mjaftueshme për mëngjes, përvoja politike në Britaninë e pasluftës së Dytë Botërore dëshmon si në rastin e gjithë kryeministrave britanikë pas tij, që edhe pse kanë fituar mocionet e mosbesimit, ata janë larguar herët a vone, pasi kështu funksion politika britanike.

Boris Johnson  është sot një udhëheqës i cili qartazi ka fituar dhe kërkon t’i vejë kapakun kësaj sage, por njësoj si Thaçer dikur, Mejxher apo Teresa Mej, edhe pse ai ka fituar me më pak se 100 vota më shumë mocionin,  historia është e pamëshirshme në kësi rastesh, andaj pikëpyetja e madhe një ditë pas mbijetesës së Johnson, është; a përben ky moment, fundin e Boris Johnson në krye të ekzekutivit britanik?

Si mund të qeverisë Boris Johnson kur një pjesë e konsiderueshme e rebelëve të partisë së tij në parlament, kanë hyrë në grevë kundër tij, dhe 40 syresh janë të bollshëm për t’i hequr atij shumicën parlamentare.

Lufta civile brenda konservatoreve pritet të ashpërsohet më shumë, pas zgjedhjeve të pritshme të pjesshme në dy zona elektorale, të cilat pritet t’i humbasin konservatorët, dy vjet e gjysmë pas fitores së tyre historike në zgjedhjet e fundit të përgjithshme.

Përpos kësaj, deputetët rebelë mund të kërkojnë ndryshimin e rregullit partiak që imuniteti i kryeministrit prej një viti, të hiqet pas çdo mocioni mosbesimi, dhe gjasat janë se në një tjetër mocion, mund të kërkohet kundër Boris Johnson.

Por kjo do kërkohet me forcë, nëse shihet se elektorati, siç tregojnë jo vetëm sondazhet  po lodhet gjithnjë e më shumë nga gënjeshtrat patologjike të kryeministrit dhe skandalet, por edhe nga vështirësitë aktuale ,por në rritje të pritshme gjatë dimrit të ardhshëm, të standardit të jetës së britanikëve.

Për momentin Boris Johnson, mund të jetë në zyrë, në Doëning Street, por a do jetë në pushtet, pas disa muajsh? Koha do ta tregojë, por historia nuk i vjen në ndihmë Boris Johnson.

Top Channel