Në burg për lagunën/ Tre të arrestuar pas investigimit për abuzimin me lagunën e Kune-Vainit

06/06/2022 18:59

Gjykata e Lezhës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për dy inspektorët e Zonave të Mbrojtura, Tom Gjelaj dhe Armando Leshaj ndërkohë për Drejtorin e Zonave të Mbrojtura, Pjeter Toni iu dha masa e sigurisë arrest shtëpie për shkak të komplikacioneve shëndetësore.

Të tre akuzohen për shpërdorim detyre pasi kanë lejuar persona të hedhin inerte në lagunën e Kune Vainit.

Rasti u bë publik 2 javë më parë në emisionin “Fiks Fare” pasi disa persona janë kapur duke hedhur inerte në zonën e lagunës dhe kanë zaptuar një pjesë të saj.

Gjithashtu u dha masa e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë dhe për inspektorin Pashk Ndoka, i cili ndodhet në kërkim.

Burime për Top Channel gjithashtu bëjnë me dije se po hetohen dhe disa persona të tjerë që kanë lejuar tjetërsimin e pronës në një zonë të mbrojtur.

Hetimi nisi disa javë më parë pas denoncimit ku prokurori Sabri Kastrati kërkoi “Arrest me burg” për të tre inspektorët dhe drejtorin e Zonave të Mbrojtura.

Fenomeni i tjetërsimit të pronave tashmë nuk është një fenomen i panjohur në Lezhë, pasi edhe zona e Ranës së Hedhur ka pasur zaptim të saj.

Top Channel