Këngëtarja e njohur Mariah Carey është paditur së fundmi për shkelje të të drejtave të autorit për mega-hitin e saj të Krishtlindjeve të vitit 1994, “All I Want for Christmas is You”.
Kantautori Andy Stone thotë se ai shkroi një këngë me të njëjtin emër pesë vjet para se Carey të publikonte hitin e saj, duke argumentuar se Carey shfrytëzoi popullaritetin dhe stilin e tij.
Pavarësisht se kanë një titull, dy këngët duken të ndryshme, por Stone pretendon se Carey shkaktoi konfuzion dhe nuk kërkoi leje. Mariah Carey nuk është përgjigjur ende ndaj akuzave. “All I Want for Christmas is You” e Mariah Carey është një nga hitet më të njohura të Krishtlindjeve të të gjitha kohërave. Që kur u shfaq në albumin Merry Christmas në vitin 1994, kënga ka kryesuar listat në disa vende dhe deri në vitin 2017 thuhet se i ka sjellë Carey më shumë se 60 milionë dollarë të ardhura.
Kënga është transmetuar 1 miliard herë në Spotify. Stone, i cili performon nën emrin Vince Vance, me grupin ‘Vince Vance & The Valiants’, po kërkon të paktën 20 milionë dollarë si dëmshpërblim. Ankesa thotë se Carey, si dhe bashkë-shkrimtari i saj Walter Afanasieff dhe kompania diskografike ‘Sony Music Entertainment’, kanë marrë fitime të pamerituara nga kënga, duke argumentuar se të pandehurit me vetëdije shkelën të drejtën e autorit.
Në një kujtim të kohëve të fundit, Carey pranoi se e kompozoi pjesën më të madhe të këngës në një tastierë të vogël Casio. Ndërkaq, nuk është e qartë pse akuza është bërë vetëm tani, 28 vjet pas publikimit të këngës së Mariah Carey. Sjellim në vëmendje se vitin e kaluar vëllai i këngëtares së njohur, Morgan e paditi atë pasi sipas tij ajo e kishte portretizuar në “The Meaning of Mariah Carey” si një njeri të dhunshëm. Por, mesa duket Mariah nuk e ka lënë me kaq këtë histori dhe së fundmi ka kërkuar që vëllai i saj të paguajë kostot e saj ligjore pas padisë për shpifje./ Top Albania Radio
Top Channel