“Për mua do të flasë puna”, reagimi i parë i kandidatit për President Bajram Begaj

04/06/2022 15:04

Pasi i tha PO, propozimit të socialistëve  për të drejtuar vendin pesë vitet e ardhshme,  Bajram Begaj përmes reagimit të parë si kandidat për president thotë se ishte sa e papritur aq edhe e madhe pesha e emocionit që ndjeva, kur mora lajmin.

“Me mirënjohje të thellë dhe respektin më të lartë për bashkëpunëtorët, kolegët, anëtarët e familjes së madhe të Forcave të Armatosura të Republikës, kam nënshkruar kërkesën për lirimin nga detyra e lartë ku kam pasur deri më sot nderin e përgjegjësisë së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm”.

Detyrën që i është besuar nuk e shikon aspak të lehtë po në ndihmë thotë zoti Begaj,  do ti vijë puna si mjek dhe si ushtarak.

“Fjalët nuk kanë qenë kurrë arma ime më e fortë, por edhe sikur të ishin jam i bindur se do ta kisha të vështirë t’i gjeja në këtë rast. Ky është një ndër ato raste që fjalët nuk e përshkruajnë dot. Vetëm përkushtimi me besnikëri absolute ndaj Republikës, qytetarëve dhe Kushtetutës së saj, mund ta tregojnë sadopak madhësinë e këtij nderi”.

Bajram Begaj jep një ide të shkurtër e të thjeshtë për të kuptuar se çfarë do të prevalojë në detyrën si president.

“Respekti për tjetrin dhe dashuria për atdheun do të jenë shigjetat e busullës sime në atë detyrë të lartë. Respekt pa kushte për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine dhe ideje. Respekt i barabartë për të gjitha palët përfaqësuese të popullit shqiptar.  Respekt për miqtë dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë. Shqipërinë mbi gjithçka”.

Bajram Begaj reagimin e tij të parë e mbyll me fjalët.  Jam mësuar që puna ime të flasë për mua, jo unë për veten time dhe kam frikë se nuk e ndryshoj dot këtë edhe po të dua.

 

 

Top Channel