Trupi i pajetë i ish-Presidentit Bujar Nishani mbërriti në orët e para të mëngjesit në pikën e kalimit kufitar në Morinë.
Ai u nderua nga policia, ndërsa tashmë po mbahen homazhe në Presidencë në nder të tij.
Arkëmorti është vendosur në sallën “Skënderbeu”, ku familjarët po presin vizita dhe homazhe nga të afërm, miq e dashamirës të ish-presidentit. Homazhet do të zhvillohen për dy ditë me radhë.
Të enjten e 2 qershorit në harkun kohor 10:00-12:00 do zhvillohen homazhe sipas ceremonialit dhe protokollit të shtetit.
Arkëmorti i presidentit Nishani do ta lerë Presidencën në orën 12:00 për t’ju drejtuar varrezave të Sharrës për ceremoninë e varrimit.
Ish-Presidenti Bujar Nishani ndërroi jetë në moshën 56- vjeçare. Prej më shumë se një muaji ai u transferua nga spitali “Shefqet Ndroqi” në një spital në Gjermani për një trajtim më të specializuar, por sipas mjekëve atje ra në gjendje kome.
Nishani u shtrua në ish Sanatoriumin e Tiranës në datën 20 prill për shkak të komplikacioneve të një pneumonie të mbivendosur mbi fibrozat post covid në mushkëri. Në 23 prill u zhvendos në Gjermani.
Nishani vuante nga një sëmundje autoimune në mushkëri dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi i Covid-19 i la në organizëm.
Ai është i dyti ish President shqiptar pas Ramiz Alisë që ndahet nga jeta. Ish-presidenti i parë pluralist pas viteve ’90, Ramiz Alia është përcjellë në 9 Tetor 2011 për në banesën e fundit ndërsa homazhet për nder të tij janë zhvilluar për një orë në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë.
Atë kohë protokolli i shtetit zhvilloi një ceremoni zyrtare, por pa të shtëna armësh dhe pa bandë nderi e truprojë.
Top Channel